Paulo Fonseca mund të emërohet trajner i Milanit

Sport

Paulo Foseca është kthyer në kandidatin kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës së Milanit. Synimi kryesor i shoqërisë kuqezi, ishte Antonio Conte, aq shumë i dashur edhe nga tifozët. Megjithatë, në pamundësi për të arritur drejt italianit, drejtuesit e klubit kanë ndryshuar objektiv. Mes emrave të tjerë, sikurse janë Conceicao, Gallardo, apo edhe Van Bommel, emri i radhës që ka dalë në skenë është pikërisht Paulo Fonseca.

51 vjeçari nuk është një emër i padëgjuar për futbollin italian, sepse për 2 vite, 2019-2021, drejtoi skuadrën e Romës. Në krahasim me trajnerët e tjerë të huaj, Fonseca konsiderohet si më i avantazhuari, për shkak se ka trajnuar më herët në Serie A, kështu që përshtatja e tij, parashikohet të marrë më pak kohë, e si pasojë, mund të sjellë mjaft rezultate positive në fushën e lojës.

Aktualisht, Fonseca është i lidhur në kontratë me skuadrën franceze të Lille, por marrëveshja aktuale përfundon në 30 Qershor të këtij viti, çka do të thotë se në rast të një marrëveshjeje të mundshme, atëherë, Milani nuk duhet të paguajë ndonjë klauzolë në drejtim të Lille.

Se ç’do të ndodhë në këtë situatë, kjo mbetet për t’u vërtetuar përgjatë ditëve të ardhshme, duke qenë se edhe sezoni është shumë pranë përfundimit. Sikurse raportohet, Fonseca është gati të emërohet pasues i Stefano Piolit në stolin e Milanit, e për këtë arsye, portugezi ka lënë pezull shumë oferta të tjera, vetëm e vetëm që të presë momentin për të marrë drejtimin e ekipit kuqezi.