Tifozët e Juventusit nuk e kanë pritur mirë festën e Paulo Dybalas me Romën në fund të fitores 1-0 ndaj Juventusit. Përkrahësit e Zonjës së Vjetër kanë shprehur pakënaqësi ndaj lojtarit argjentinas, duke shkruar në rrjetet sociale, se ish-numri 10 në “Allianz Stadium” nuk duhet të kishte reaguar në atë mënyrë.
Megjithatë, e menjëhershme ka qenë përgjigja e Dybalas. Në një grup në Telegram, që kampioni i botës ka hapur për të biseduar me tifozët, aty ku bëjnë pjesë përkrahës të Romës dhe Juventusit, Dybala ka dhënë një sqarim të situatës.
“Nuk e festova golin në sytë e askujt nga ju, por festova bashkë me shokët e mi të skuadrës. Më vjen keq për ndjesinë tuaj, ju përqafoj dhe ju dua të gjithëve”, janë fjalët e fantazistit të skuadrës së Jose Mourinhos.
Ndonëse i kushtëzuar edhe nga dëmtimet e ndryshme, Paulo Dybala ka arritur të kthehet në një lojtar të rëndësishëm këtë sezon për Romën. Në 25 ndeshje të luajtura në të gjitha garat, ai ka realizuar 12 gola dhe ka dhënë 7 asist për shokët e skuadrës. Falë kontributit të tij me 8 gola dhe 7 asist në Serie A, Roma klasifikohet në vendin e 4 të tabelës së renditjes, në kuotën e 47 pikëve.