Edhe pse dukej shumë pranë transferimit tek skuadra e Tottenham, Paulo Dybala nuk ka arritur të gjejë akordin e duhur me klubin londinez dhe me merkaton angleze që tashmë është mbyllur, kjo alternativë për argjentinasin tashmë ka rënë. Sulmuesi nuk është në planet e Juventus dhe drejtuesit po kërkojnë një blerës potencial për kartonin e 25-vjeçarit.
Mediat angleze dhe ato italiane raportojnë se është rikthyer në qendër të vëmendjes një kalim i mundshëm i lojtarit tek PSG. Kampionët e Francës me shumë gjasa do të largojnë nga skuadra brazilianin Neymar, i cili nuk dëshiron të vazhdojë karrierën tek kryeqytetasit francezë. Paulo Dybala është një nga alternativat më të mira në qarkullim për PSG, pasi argjentinasi shihet edhe si një profil shumë i përshtatshëm për lojën e trajnerit Thomas Tuchel.
PSG shfaqi interes edhe më herët për kartonin e argjentinasit, por tratativat e avancuara të Juventus me Manchester United apo Tottenham lanë në pritje kampionët e Francës. Juventus kërkon ta shesë lojtarin për të paktën 80 milionë euro, çfarë mund të ndihmonte në përmirësimin e bilanceve të skuadrës bardhezi. Ndërsa tek PSG pretendojnë se mund ta ulin këtë çmim dhe pritet që shumë shpejt të kenë një takim mes Leonardos dhe Paraticit për të biseduar rreth mundësive reale që një lëvizje e tillë të ndodhë.
Vetëm në rast se PSG do të sigurojnë firmën e Dybalas, klubi francez do të fillojë tratativat për largimin e Neymar, për të cilin interesohen kryesisht Real Madrid dhe Barcelona, por ka patur raportime edhe për një sondazh të Juventusit për sulmuesin brazilian.