Paul Pogba “tremb” Juventusin, ja sa do mungojë francezi nga dëmtimi i pësuar

Sport

Paul Pogba “tremb” Juventusin. Mesfushori ka pësuar një dëmtim në gjurin e majtë dhe si pasojë, pritet të mungojë për një kohë të konsiderueshme. Si fillim, u mendua thjesht si një shqetësim I lehtë për francezin, por sikurse ka raportuar vetë klubi bardhezi nëpërmjet kanalit zyrtar, nga ekzaminimet e kryera, ka rezultuar se kampioni I botës vuan nga një shqetësim në menisk.

Kjo do të thotë se Pogba tashmë do veçohet nga pjesa tjetër e skuadrës në SHBA, aty ku Juventusi po kryen fazën përgatitore. Së pari, shtatlarti do mungojë në miqësoren e planifikuar ndaj Barcelonës, por nuk është ky problemi kryesor në kampin bardhezi.

Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, nëse Pogba e ka të domosdoshme të operohet, atëherë, mundësitë janë shumë të mëdha që 29 vjeçari të mungojë nga 6 deri në 8 javë. Kjo do të thotë se ai nuk do jetë I disponueshëm për nisjen e Serie A.

Teksa futbollisti tashmë do vijojë me procesin e rikuerimit, kjo është aventura e dytë e Pogba me Juventusin. Që të dyja herët, ai ka zbarkuar në Torino me parametra zero, teksa do provojë sërish të bëhet po aq I rëndësishëm për skuadrën, sikurse ishte përgjatë epokës së tij të parë me fanellën bardhezi.