Paul Pogba këtë edicion nuk ka qenë shumë aktiv në fushën e lojës, për faktin se në muajin shtator pësoi një lëndim në kavilje dhe prej atëherë nuk mundi të ishte i gatshëm për skuadrën e tij. Mirëpo, emri i mesfushorit është lakuar shumë jashtë tapetit të blertë, herë në merkato, e herë qendër e kritikave. Një prej personazheve që ka polemizuar me Pogba është Graeme Souness, ish-lojtari i Liverpool. Souness, në fjalët e tij është shprehur se Pogba nuk ka një sjellje shumë serioze, si jashtë fushës, por gjithashtu edhe brenda saj. Reagimi i Pogba nuk ka vonuar, duke thënë se Souness është një personazh që ai nuk e njeh. Për t’i ardhur në ndihmë mesfushorit të United, ka menduar Rio Ferdinand, tashmë në rolin e analistit. Anglezi ka deklaruar se nuk ka asnjë dyshim që Pogba është një lojtar i klasit të lartë botëror, por ai nuk mund të kritikohet këtë sezon, sepse nuk ka luajtur dhe kjo është shumë e pakuptimtë. Më tej, Ferdinand shprehet në drejtim të Souness, se Pogba është një lojtar me peshë të madhe, sepse 2 vite më parë, ai fitoi edhe Kupën e Botës me Francën, gjë që ia shton akoma edhe më shumë vlerat. Ish-mbrojtësi i United, thekson, se nuk është aspak habi që lojtarët e brezit të sotëm nuk i njohin ata të viteve të mëparshme, dhe këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur dhe kjo nuk është abslutisht një mungesë respekti. Në merkaton e verës, Pogba mund t’I rikthejë sërish prozhektorët drejt vetes, teksa e ardhmja e tij diskutohet mes trekëndëshit, Manchester United, Real Madrid, ose Juventus.