Që Paul Pogba një ditë do të luajë në Arabinë Saudite, kjo duket e sigurt, por mbetet për t’u parë vetëm dita se kur kjo do të ndodhë. Duhet thënë se ofertat për mesfushorin nuk mungojnë. Mediat e huaja, bëjnë me dije, se Al Ittihad ka gati një paketë 3 vjeçare për francezin, me një total prej 100 milionë eurosh.
Deri më tani, përgjatë kësaj merkatoje, milionat kanë tunduar shumë futbollistë, të cliët janë transferuar në Lindjen e Mesme. Shumë zhurmë ka nisur të bëjë edhe çështja e radhës, e quajtur “Paul Pogba”.
Situatën e ka trazuar pak edhe vetë futbollisti, i cili në fundjavën që lamë pas, ka vizituar pikërisht Arabinë Saudite dhe konkretisht ka zbarkuar në ambientet e Al Ittihad. Një gjë të tillë e ka bërë publike vetë lojtari, me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Megjithatë, për momentin, ish-futbollisti i United, e ka mohuar mundësinë e transferimit në ligën saudite, por këtë nuk e ka hedhur poshtë për të ardhmen. Kjo ka qenë edhe përgjigja e 30 vjeçarit ndaj një tifozi në postimin e tij.
I transferuar në radhët e Juventusit një vit më parë, duhet thënë se sezoni i lënë pas, nuk shkoi aspak në mënyrën e duhur për Pogba. Dëmtimet në gju, e kushtëzuan lojtarin që të jepte kontributin e tij në fushën e lojës. Mjafton të përmendim këtu, që në edicionin 2022/23, Pogba luajti vetëm 10 ndeshje në të gjitha garat, me një total prej 161 minutash.
Mesfushori ka ende edhe 3 vite të tjera kontratë me Zonjën e Vjetër, por gjendja e tij fizike, ka ngritur mjaft pasiguri në kampin juventin. Vetë Pogba është i vendosur për të vazhduar në “Allianz Stadium”, por të shohim se ç’do të rezervojë e ardhmja për futbollistin në fjalë.