Paul Pogba nuk do të operohet. Pavarësisht dëmtimit të rëndë të pësuar në meniskun e gjurit të djathtë, mesfushori nuk do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Është ky vendimi që ka marrë vetë futbollisti, sigurisht i këshilluar edhe nga stafi mjekësor që monitoron vazhdimisht gjendjen e tij.
Për t’u rikuperuar, francezi do ndjekë një program të veçantë që do e mbajë atë jashtë fushave të lojës për një periudhë 5 javore. Terapia që do aplikojë kampioni i botës është ushtrimi në palestër dhe aktivitete në pishinë. Më pas, Pogba do kryejë stërvitje individuale me topin, derisa të jetë në gjendje të luajë sërish futboll.
Francezi kërkon me patjetër që të luajë në Kupën e Botës dhe pikërisht për këtë arsye ai ka zgjedhur që të aplikojë metodën e dytë të riaftësimit. Nëse do operohej, atëherë, mesfushorit do i duhej një periudhë 5 mujore për të qenë sërish gati për të luajtur.
Në këtë mënyrë, viti 2022 mund të quhej i përfunduar për të, çka do të thotë se nuk mund të merrte dot pjesë as në Botëror. Sidoqotë kjo ngjarje ka shkaktuar dhjmbje koke në kampin e Juventusit. Pogba është një mungesë e madhe për trajnerin Massimiliano Allegri. Deri në momentin që 29 vjeçari të rikthehet sërish në fushë, takticieni livornez duhet të gjejë një tjetër zgjidhje.