Tashmë është zyrtare, Paul Pogba largohet me parametra zero nga Manchester United. Në fakt, ishte diçka që pritej, sepse në deklaratat e herë pas hershme, Pogba kishte lënë të kuptohej që mes tij dhe United nuk kishte asnjë marrëveshje për të rinovuar.
Në këtë mënyrë, divorci është konsideruar si zgjedhja më e mirë, si për njërin krah, ashtu edhe për tjetrin. Me anë të një postimi në kanalin zyrtar, klubi anglez ka njoftuar se në fund të qershorit, kampioni I botës do largohet nga Old Trafford.
Më tej, francezi ka marrë edhe përshëndetjet nga 20 herë kampionët e Premier League, të cilët I urojnë mesfushorit një të ardhme të suksesshme në karrierë. Me të kuqtë e Manchesterit, Pogba u aktivizua 283 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 39 gola dhe 51 asist. Po ashtu, arriti të fitojë edhe 3 trofe.
Kjo është hera e dytë që Pogba largohet me parametra zero nga United. Si fillim ndodhi në vitin 2012-të, atëherë kur lojtari u transferua në radhët e Juventusit. Vetëm 4 vite më vonë, në 2016-tën, United vendosi ta rikthente lojtarin në shtëpi, por këtë herë duke paguar 105 mln euro në arkat e Juventusit. Një shifër e tillë, bëri që Pogba të kthehej në futbollistin më të shtrenjtë të historisë së djajve të kuq.
Tashmë që 29 vjeçari po largohet për herë të dytë me kosto zero nga Teatri I Ëndrrave, ironia qendron në faktin se klubi që ndodhet në pole-position për të marrë shërbimet e Pogba, është sërish Juventusi. Zonja e Vjetër I ofron francezit një kontratë 3 vjeçare, me një pagë prej 7.5 mln eurosh në sezon. Megjithatë, mesfushori ende nuk e ka vendosur të ardhmen e tij, diçka që pritet ta bëjë përgjatë ditëve të ardhshme.