Mjaftuan vetëm disa fjalë të Paul Pogba për simpatinë që kishte ndaj klubit të Real Madrid për të ndezur zërat e merkatos në Angli, që shohin francezin gjithnjë e më larg Manchester United. Trajneri i ‘djajve të kuq’, Ole Gunnar Solskjaer qe shprehur se fjalët e Pogba nuk duhen konsideruar si një kërkesë largimi, pasi sipas tij, kampioni i botës me Francën është i lumtur në ‘Old Trafford’, ku mbetet pjesë kyçe e projektit të këtij klubi. Megjithaë ish-lojtari i Manchester United, Paul Ince, mendon se Pogba ka treguar qartësisht ambiciet e tij. Sipas Ince, mesfushori kërkon një sfidë të re dhe me Realin që ka nevojë për ndryshime të shumta për të bërë një ringritje, Pogba sheh situatën më të mirë për të provuar veten në një tjetër kampionat, e për më tepër me një tjetër emër të madh të futbollit europian.
Ince shkoi më tej duke thënë se tashmë Solskajer i ka lindur një tjetër detyrë e vështirë, ajo që të bindë lojtarë si Pogba, De Gea apo Lukaku, që të mos largohen gjatë merkatos së ardhshme verore. Por në rastin e francezit situata duket edhe më e ndërlikuar, pasi kampioni i botës e ka shprehur edhe më parë dëshirën për të provuar një aventurë të re. Ince mendon se një tjetër arsye që e shtyn Pogba të largohet drejt Realit është edhe dëshira për të fituar trofe. Sipas tij, duke njohur natyrën këmbëngulëse të Pogba, një lëvizje tek Real Madrid mund të ishte zgjedhja më e mirë për të shtuar trofetë në raftin e tij, pasi në ‘Premier League’, konkurenca është shumë më e fortë.