Patrick Viera ka mposhtur ish-skuadrën e tij

Sport

Patrick Viera çmonton Arsenalin. Një ish-lojtar i Gunners, sot trajner i Crystal Palace, ka mposhtur ish-skuadrën e tij me rezultatin e pastër 3-0. Ekipi i drejtuar nga 45 vjeçari ka zhvilluar një ndeshje të gati-gati perfekte në Selhurst Park, duke i dhënë një shuplakë vizitorëve, të drejtuar nga Mikel Arteta.

Kjo fitore e Crystal Palace nuk ishte e rastësishme, por ka ardhur si rezultat i një pune të shkëlqyer. Në 11 ndeshjet e fundit, Palace regjistron vetëm 1 humbje, teksa ka arritur 6 fitore dhe 4 barazime. Ndonëse pati shumë kritikë kur mori drejtimin e skuadrës në verën e kaluar, Viera ia ka dalë t’i heshtë që të gjithë, teksa skuadra e tij renditet në kushte mjaft komode në tabelën e klasifikimit. Në vendin e 9 në kuotën e 37 pikëve.

Më tej, kjo humbje, nuk e bën dramatike situatën në radhët e Arsenalit. Londinezët mbeten tërësisht në garë për t’u kualifikuar në Champions League edicionin e ardhshëm. Gunners kanë grumbulluar 54 pikë deri më tani dhe momentalisht renditen në vendin e 5, me pikë të njëjta me Tottenhamin e vendit të 4. Megjithatë, Topçinjtë kanë mundësi të ngjiten mbi Spurs, sepse kanë një ndeshje më tepër për të rikuperuar. Gara për një vend në Champions, pritet të jetë mjaft interesante deri në fund.