Angli – Francë padyshim që pritet të jetë një ndër ndeshjet më emocionuese të Kupës së Botës, me të dyja skuadrat që do të synojnë një vend në gjysmëfinale. Mirëpo, Patrice Evra nuk ka asnjë mëdyshje se cila do jetë skuadra që do triumfojë. Në prag të kësaj sfide, ish-mbrojtësi është shprehur “gjelat” do triumfojnë me rezultatin 2-1 ndaj “3 luanëve”, e madje ka treguar edhe lojtarin që do të bëjë diferencën përgjatë 90 minutëshit.
“Mendoj se Franca do të shënojë e para, më pas Anglia do barazojë, por Mbappe do luajë një tjetër ndeshje të madhe dhe ai do shënojë golin e fitores në 10 minutat e fundit të sfidës. Nuk mendoj se do kemi kohë shtesë, apo penallti. Megjithatë, nëse situata shkon deri tek pika e bardhë, atëerë Franca rrezikon të eliminohet”, është shprehur ndër të tjera legjenda e Manchester United.
Pikërisht për shkak të së shkuadrës së tij në Angli me United, Evra ka thënë se shumë njerëz mund të mendojnë se ai do jetë në përkrahje të Anglisë, mirëpo një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Zemra e tij do jetë në krahun e Francës.
Kjo është hera e 3-të në histori që Anglia dhe Franca përplasen së bashku në Kupën e Botës. Anglia i ka fituar që të dyja ndeshjet e mëparshme. Fillimisht ka ndodhur në vitin 1966-të, atëherë kur britanikët triumfonin me rezultatin 2-0 dhe më pas në vitin 1982, atëherë kur Anglia fitonte 3-1.