Bayern Munchen duket se nuk është gati të heqë dorë nga lojtarët veteranë të skuadrës, të cilët janë pjesë e historisë së klubit bavarez. Pas Franck Ribery, ka qenë radha e Arjen Robben për të firmosur rinovimin me kampionët e Gjermanisë. Vetë klubi ka konfirmuar kontratën e re me holandezit, që do e mbajë atë në “Allianz Arena” deri në qershor të vitit 2019. Deri në përfundimin e kësaj kontrate, Robben do të jetë 35 vjeç, por për drejtuesit e klubit ky fakt nuk përbën problem. Holandezi e nisi karrierën tek skuadra e Groningen në vendlindjen e tij, por shpërthimit e tij ai e pati gjatë 2 sezoneve në radhët e PSV Eindhoven. Në 2004-n, Jose Mourinho e mori në Londër tek Chelsea, ku 3 sezonet e kaluara ishin të vështira për shkak të dëmtimeve të shpeshta. Më pas Robben do të transferohej tek Real Madrid, një aventurë që nuk shkoi ashtu siç duhet për të.
Ai u bë pjesë e Bayern Munchen në verën e vitit 2009 dhe si pjesë e skuadrës bavareze arriti të fitojë 7 herë titullin në Gjermani, 4 Kupa të Gjermanisë dhe Champions League në vitin 2013, finale në të cilën shënoi edhe golin e triumfit në “Wembley” kundër rivalëve të Borussia Dortmund.
Nga viti 2003 deri në 2017 ai ka qenë pjesë edhe kombëtares së Holandës, ku në 96 ndeshje shënoi 37 gola. Kulmi i Robben me “tulipanët” ishte padyshim finalja e botërorit në 2010, të cilën e humbën në shtesë ndaj Spanjës.