Pas Real Madrid, edhe Barcelona në gjurmët e Fabian Ruiz të Napol

Sport

Fabian Ruiz është një nga lojtarët që ka shkëlqyer më shumë tek Napoli i Ancelottit. Mesfushori spanjoll e ka rritur ndjeshëm nivelin e tij të lojës, duke bërë që shumë ta shohin si një tjetër premtim të madh të së ardhmes. Për 23-vjeçarin u raportua pak ditë më parë se kishte filluar të interesohej skuadra e Real Madrid, që do ta ketë të vështirë të gjejë ‘një gjuhë’ të përbashkët me Napolin. Kjo për shkak të mosmarrëveshjeve që patën dy klubet në verë në lidhje me një transferim të mundshëm të James Rodriguez.

Por gjërat për Realin janë komplikuar akoma më shumë, pasi në garë për Fabian Ruiz thuhet se është edhe Barcelona. Katalanasit mendojnë të kompletojnë repartin e mesfushës edhe me afrimin e 23-vjeçarit, i cili u transferua tek Napoli në verën e vitit 2018, kur italianët shpenzuan 30 milionë euro për të marrë kartonin e tij nga Real Betis. Interesant është fakti se kjo nuk është hera e parë që Barcelona interesohet për Fabian Ruiz. Në vitin 2017, skuadra katalanase kishte bërë një ofertë prej 2 milionë eurosh për të afruar lojtarin tek skuadra B. Por drejtori sportiv i Betis në atë kohë kishte refuzuar gjithçka.
Nga ana tjetër, Reali e ka patur të vështirë të gjejë akordin me lojtarë si Paul Pogba, Eriksen apo Van de Beek, por gjithësesi edhe alternativa e Fabian Ruiz mund të kushtojë vërtet shumë. Napoli është në përpjekje për të rinovuar kontratën e mesfushorit spanjoll, ku mendohet se do të përfshihet edhe një klauzolë që e kalon shifrën e 100 milionë eurove.