Pas Messit, edhe Ronaldo akuzohet për evazion fiskal

Sport

evazion

Duket se telashet me taksat nuk i ka vetëm Messi në Spanjë, por edhe Ronaldo. AS raportoi të enjten se inspektorët e tatimeve kanë nisur shqyrtimet për një pretendim sipas së cilit Ronaldo nuk ka paguar plot 8 milionë euro taksa. Bëhet fjalë për periudhën 2011-2014-të ku portugezi nuk ka deklaruar një shumë të majme të ardhurash prej të drejtave të imazhit. Sipas radios spanjolle Cadena Ser, tatimet kanë kërkuar bashkëpunim me prokurorinë, por ende nuk ka një vendim të qartë nëse ndaj Ronaldos do të nisë procedimi apo jo. Sipas gazetës AS vetë inspektorët tatimor janë të dyzuar për mënyrën e ndjekjes ligjore të kësaj cështjeje me portugezin. Në plan janë dy mënyra, ose administrative, ose penale. Sipas radios Cadena Ser, Ronaldo kishte depozituar një shumë të majme parashë të ardhura nga të drejtat e imazhit në ishujt Virgin. Ai ka depozituar të ardhura “off-shore” për tre vite dhe më pas këto i ka deklaruar vetëm në vitin 2014-të, duke paguar 6 milionë euro taksa, në një kohë që nëse përllogariteshin për cdo vit do të paguante rreth 14 milionë. E njëjta mënyrë është ndjekur edhe për vitet 2009-2010-të, ku përfaqësuesit e Ronaldos i kanë përmbledhur në një vit taksat që duheshin paguar në mënyrë periodike. Sidoqoftë Ronaldon e shpëton fakti se ai i ka deklaruar të ardhurat edhe pse në një kohë të dytë. Nga pala e portugezit kanë shprehur gatishmëri për të paraqitur të gjitha dokumentacionet e nevojshme, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë ende mënyrën se si do të ndiqet kjo cështje, që sipas AS-ës me shumë gjasa mund të jetë vetëm administrative.