Merkato e Interit ka qenë mjaft e kënaqshme për trajnerin Antonio Conte, mirëpo në fazën sulmuese, dëshirat e trajnerit italian nuk janë plotësuar. Me Mauro Icardin që nuk konsiderohet në planet e teknikut të Interit, duket se ai ka në dispozicion për majën e sulmit vetëm Lautaro Martinez. Dëshira e madhe e Interit ishte Romelu Lukaku, por pavarësisht vullnetit të vetë sulmuesit belg, skuadra e tij e ardhshme duket se do të jetë Juventus. Por Interi nuk është përballur vetëm më ‘sfumimin’ e pistës ‘Lukaku’. Edhe tratativat për Edin Dzekon u komplikuan së tepërmi, ndonëse deri pak javë më parë, boshnjaku shihej si transferimi i radhës i Interit. Megjithatë, lajmet e këqija në këtë pjesë të merkatos për zikaltërit nuk mbarojnë. Talenti i Lille, Rafael Leao zgjodhi të transferohej në anën tjetër të Milanos, tek Milan, por një ‘jo’ e madhe ka ardhur edhe nga Parisi. Edinson Cavani ka mohuar të ketë patur kontakte me drejtuesit e Interit dhe për më tepër është shprehur se nuk dëshiron të largohet nga PSG.
Përkundrazi, sulmuesi uruguaian ka vendosur të qëndrojë edhe 1 vit tjetër tek kampionët e Francës. Cavani tha se dëshiron të respektojë deri në fund kontratën e tij me PSG, që në fakt skadon pikërisht në fundin e sezonit të ardhshëm, kur sulmuesi do të ketë mundësinë të largohet si lojtar i lirë. Kështu për Interin situata në sulm vijon të komplikohet dhe sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Marotta do të shqyrtojë seriozisht pistën e kroatit Rebic, që aktivizohet tek Eintracht Frankfurt. Këta të fundit nuk kanë ndërmend të heqin dorë për më pak se 40 milionë euro nga sulmuesi i tyre, që sezonin e kaluar realizoi 10 gola e shërbeu 6 asiste.