Pas Joshua Zirkzee, Manchester United është pranë një tjetër futbollisti

Sport

Manchester United nuk po kursehet në merkato. Djajtë e kuq kanë zyrtarizuar sulmuesin Joshua Zirkzee, shërbimet e të cilit i siguruan nga Bologna për 50 milionë euro. Lojtari ka firmosur një kontratë 5 vjeçare me 20 herë kampionët e Anglisë. Duke nisur nga sezoni pozitiv që zhvilloi në Serie A, kësisoj, pritshmëritë për hollandezin në Old Trafford janë maksimale, për më tepër që tifozët e United janë të uritur për ta parë skuadrën e tyre të sukseshme, pasi që prej largimit të Sir Alex Ferguson, rrezet e diellit në anën e kuqe të Manchesterit, nuk janë më edhe aq të forta.

Mirëpo United nuk dëshiron të ndalet këtu. Sipas informacioneve që përcillen nga mediat e huaja, ishullorët janë shumë pranë nënshkrimit të një tjetër futbollisti. Fjala është për Leny Yoro, qendërmbrojtësin e Lille. Francezi u diskutua shumë edhe për t’u bërë pjesë e Real Madrid, mirëpo palët nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për çështjen financiare, kështu që djaloshi 18 vjeçar do të bëhet pjesë e Manchester United. Ndryshe nga Reali, United është gati të paguajë mbi 50 milionë euro për lojtarin Yoro, i cili konsiderohet ndër më të talentuarit në qarkullim për brezin e tij.

Drejtuesit e klubit anglez nuk po kursehen në merkato, në mënyrë që trajneri Erik Ten Hag të ketë në dispozicion skuadrën më të mirë të mundshme.