Pas humbjes së finales, Roma mund të përballet me një tjetër moment të vështirë

Sport

Pas tronditjes që Roma pësoi në Budapest, duke humbur finalen e Europa League, me penallti ndaj Sevillas, ambienti verdhekuq mund të përballet me një tjetër moment të vështirë. Trajneri Jose Mourinho mund të largohet këtë verë. Një gjë të tillë e ka lënë vetë të nënkuptuar tekniku portugez, në fjalët e tij pas duelit me klubin andaluzian, që fitoi titullin e 7-të të Europa League, në po kaq finale të luajtura.

“E ardhmja ime? Të hënën do të shkoj me pushime dhe më pas të shohim se ç’do të ndodhë. Nuk mund të them nëse do të qëndroj ose jo, por disa kohë më parë, i kam informuar drejtuesit, që nëse ndonjë klub interesohet për mua, atëherë unë do të shqyrtoj çdo mundësi, por sigurisht këtë do e bëj duke informuar fillimisht Romën. Këtu kam edhe një vit kontratë dhe kjo është situata e momentit. Nuk mund të them asgjë tjetër”, kanë qenë disa nga fjalët e Mourinhos, i cili mund të jetë në pritje të ndonjë oferte nga ndonjë klub me më tepër peshë i kontinentit.

Sa i përket disfatës në Budapest, kjo ishte humbja e parë e Mourinhos në 6 finale europiane të luajtura. “Special One” ka deklaruar se ai është më krenar se kurrë me skuadrën e tij, për atë që dha në fushën e lojës, si në aspektin fizik, gjithashtu edhe atë psikologjik. Gjithësesi, 61 vjeçari nuk i ka kursyer komentet mbi gjykimin e ndeshjes, ku është shprehur se në shumë raste, arbitri anoi në krahun e spanjollëve.