PAS FINALES SE UCL, JUVENTUSI PRITET TE NDESHKOHET NGA UEFA

Sport

Juventus pagoi 718 mijë euro për të mbyllur llogaritë me hetimet sa i takon cështjes së pagave që ishte hapur në Itali. “Zonja e Vjetër” përjetoi një sezon të tmerrshëm, ku së fundi iu zbritën 10 pikë, ndërsa gjithashtu pagoi dhe një gjobë për të mbyllur përfundimisht hetimet. Por, më e keqja duket se ende nuk ka ardhur për bardhezinjtë. Ja që kaq nuk mjafton që tifozët bardhezi të qëndrojnë të qetë pasi topi i kalon UEFA-s. Në Itali janë të bindur, Juve nuk mund të shpëtojë pa u dënuar nga UEFA. Organizmi më i lartë i futbollit kontinental ka hapur një dosje për Juventusin dhe ka nisur hetimin në lidhje me dënimin që i është dhënë nga Gjykata Federale në Itali. Në fund të qershorit, pritet do të jepet edhe vendimi i UEFA-s dhe me shumë gjasa do të ketë edhe përjashtim nga Europa.

Ceshtja e plusvalencave në të cilat është përfshirë Juventusi, ka ndikuar direkt në financat e klubit dhe kjo bie ndesh me rregullat e “Fair Play Financiar” të qeverisë së futbollit evropian. Nëse këta të fundit arrijnë të zbulojnë se plusvalenca ka ndikuar, atëherë përjashtimi mund të rrezikojë që të jetë edhe më shumë se një sezon. Pra, varianti më i mirë është që të dënohen me një vit përjashtim nga garat që organizon UEFA, megjithëse në këtë rast asgjë nuk është e sigurt. UEFA pritet të dalë me një vendim përfundimtar brenda këtij muaji.