Pas 11 sezoneve, Samir Handanoviç largohet zyrtarisht nga Interi

Sport

Samir Handanoviç largohet zyrtarisht nga Interi. Portierit i kishte përfunduar kontratë në 30 Qershor, por gjatë kësaj kohe, palët po diskutonin një rinovim të mundshëm, edhe për një tjetër sezon. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi. Mes klubit dhe lojtarit nuk është arritur një marrëveshje për të mbetur edhe një tjetër sezon në “San Siro”.

Në kushte si këto, me anë të një komunikimi në kanalin zyrtar, Interi ka konfirmuar largimin e Handanoviç, i cili u bë pjesë e organikës zikaltër në 2012-tën për rreth 15 milionë euro. Gjatë 11 viteve të kaluara, Handanoviç u prezantua 455 ndeshje në të gjitha garat me fanellën zikaltër, gjatë të cilave arriti të fitonte gjithashtu edhe 5 trofe, një Serie A, dy Kupa dhe dy Superkupa të Italisë. Për plot një dekadë, Handanoviç ishte titullar i padiskutueshëm në “San Siro”, teksa nga formacioni u spostua vetëm në edicionin që lamë pas, teksa në vendin e tij u aktivizua Andre Onana.

Këto statistika, padyshim që e klasifikojnë sllovenin në radhët e legjendave të klubit, si një prej personazheve më emblematikë që ka prezantuar ngjyrat zikaltër.

Sa i përket të ardhmes së 38 vjeçarit, ajo mbetet e paqartë. Si një lojtar pa kontratë, ai mund të transferohet në një tjetër klub me parametra zero, por mbetet për t’u parë nëse aventura do të vijojë në Europë, apo jashtë kontinentit.