Premierë pozitive për Partizanin në ndeshjen e turit të parë kualifikues të Ligës së Kampioneve. Kampionët e Shqipërisë dolën me një barazim të vyer pa gola, nga sfida e parë e zhvilluar në “Selman Stërmasi” kundër Qarabagut, kampion të Azerbajxhanit. Nën drejtimin jo më të Skënder Gegës, por të trajnerit italian Franko Lerda, të kuqtë u paraqitën me fare pak risi nga skuadra që riktheu titullin kampioon pas 26 vitesh. Vetëm Hakaj e Bitri në mbrojtje dhe Cordeiro në mesfushë ishin emrat e rinj të formacionit fillestar ku gjithsesi ra në sy mungesa e Lorenc Trashit.
Loja pati dy tabllo, me Qarabagun që u shfaq më ngulmues gjatë pjesës së parë, megjithatë italiani Lerda e kishte vendosur si duhet skuadrën në fazën mbrojtëse, aq sa u neutralizua çdo rrezik përpara portierit Hoxha. Nga ana tjetër, sulmi nuk u shfaq në lartësinë e duhur gjatë fraksionit të parë të ndeshjes, kur rreziku i vetëm erdhi nga Jasir Asani, përmes një goditjeje që gjithsesi përfundoi jashtë.
Krejt ndryshe ishte Partizani i pjesës së dytë, ku që në minutat e para sulmoi rrezikshëm dhe vetëm fati i keq i mohoi golin e avantazhit, teksa Belica me kokë goditi tranversën, pas një gjuajtjeje nga këndi. Gjatë minutave në vazhdim, të kuqtë u munduan disa herë të gjejë kuadratin e portës azere, por pa ia dalë të rrezikojë seriozisht Qarabagun, që gjithashtu nga ana tjetër nuk arriti do të cajë murin e kuq, për të shënuar qoftë edhe një gol. Tashmë, kualifikimi dot të vendoset pas një jave në Baku’, aty ku Partizanin e pret një 90minutësh i zjarrtë. Por kjo skuadër tregoi se me pak fat mund të marrë një rezultat pozitiv edhe në një transfertë të vështirë si ajo e 17 korrikut.