Parisit nuk i mjaftojnë yjet, Bayerni fiton takimin e vajtjes në Francë

Sport

PSG-së nuk i mjaftojnë yjet që ka në ekip, si Messi, Neymar, apo Mbappe, për të fituar ndaj Bayern Munich. Në aktin e parë që u zhvillua në tokën franceze, bavarezët arritën të fitonin me rezultatin 1-0, me golin e shënuar nga Kingsley Coman në minutën e 8 të pjesës së dytë.

Ashtu sikurse ndodhi në finalen e 3 viteve më parë, edhe një herë tjetër, ish-djaloshi i shtëpisë ka arritur të ndëshkojë ish-skuadrën e tij. Në këtë mënyrë, PSG është bërë ekipi i parë që Coman ka realizuar dy herë në fazën me eliminim të Champions League.

Ky ishte një rezultat, që njëkohësisht vërtetoi edhe një herë tjetër, ecurinë e përkryer të Bayernit në të gjitha kompeticionet. Në 30 ndeshje të zhvilluara deri më tani në të gjitha garat, Bayerni ka humbur vetëm një, ka fituar 22 dhe ka barazuar në 7 prej tyre. Më herët, gjigantët gjermanë, e kanë arritur një ecuri të tillë vetëm në sezonin 2007/08-të, atëherë kur drejtoheshin nga Ottmar Hitzfeld.

Nga ana tjetër, Parisi vërtetoi edhe një herë tjetër nisjen negative që i ka bërë vitit 2023. Disfata ndaj Bayernit ishte e 5-ta në 11 ndeshjet e fundit. Për të kuptuar sa negative është kjo e dhënë, mjafton të përmendim këtu, që përgjatë vitit 2022, Parisi luajti 46 ndeshje në të gjitha garat, duke humbur vetëm 4 prej tyre.

Në kushte si këto, stoli i trajnerit Christophe Galtier ka nisur të dridhet. 56 vjeçarin mund ta shpëtojë vetëm kualifiki në çerekfinale të Champions League. Mirëpo për ta bërë një gjë të tillë, duhet të përmbysë humbjen ndaj Bayernit në Mynih. Akti i kthimit në tokën gjermane, do zhvillohet në datën 8 Mars.