PSG kualifikohet në gjysmëfinale të UEFA Champions League. Në çerekfinale, francezët mposhtën me rezultatin e përgjithshëm 5-4 Aston Villan. Pas suksesit 3-1 në takimin e parë në Parc des Princes, u mendua se parizienët do ta kishin më të lehtë në Villa Park. E në fakt, ashtu nisi të dukej, teksa miqtë kaluan në epërsi të dyfishtë në 27 minutat e parë me anë të mbrojtësve, Aschraf Hakimi dhe Nuno Mendes. Megjithatë, ai që ndezi një fije shprese në pjesën e parë për ekipni nga Birminghami ishte Juri Tielemans, i cili shkurtoi diferencën.
10 minuta pas rikthimit në fushë, kapiteni John McGinn barazoi rezultatin, kurse vetëm 120 sekonda më vonë, Konsa shënoi të tretin për vendasit, duke përmbysur kësisoj avantazhin në 3-2. Më pas, në rreth 30 minuta lojë, Aston Villa pati mundësi të tjera të arta për të shënuar edhe golin tjetër, e për ta dërguar ndeshjen në shtesë, skuadra angleze nuk ia doli dot mbanë.
Kështu djemtë e drejtuar nga Unai Emery eliminohen me kokën lart nga Champions League, ndërsa Parisi përparon më tej në gjysmëfinale, për të dytin edicion radhazi. Kjo do të jetë gjysmëfinalja e 9-të në kompeticionet europiane për PSG, ndërsa e pesta në Champions League, më tepër se çdo klub tjetër francez. Marseille është në vendin e dytë me 8 gjysmëfinale europiane.
Pas ndeshjes, trajneri i kampionëve të Ligue 1, Luis Enrique u shpreh për mediat se skuadra e tij meritoi të kualifikohjen në raundin tjetër.
“Mendoj se e merituam, është kaq e thjeshtë. Nuk duhet të harrojmë se kjo është Champions League dhe skuadrat e tjera janë gjithashtu me shumë cilësi. Aston Villa luajti me shumë intensitet, por në të dyja ndeshjet, mendoj se ne e merituam të kuaflifikoheshim. Kjo është hera e dytë radhazi që vijmë në këtë fazë dhe tani duam të shkojmë në fazën tjetër”, ka thënë ndër të tjera takticieni spanjoll.