LUIS ENRIQUE, TRAJNERI I PSG:
“Futbolli është një sport i mrekullueshëm, sepse çdo rezultat është i mundur të ndodhë. Ne si klub, jemi të bindur në aftësitë tona dhe jemi mjaft të motivuar. E kemi nisur çdo kompeticion, me synimin për të shkuar sa më larg të jetë e mundur. Jemi ambiciozë dhe dëshira e vetme është që sa herë të zbresim në fushën e lojës, të fitojmë.
Sa i përket rezultateve të deritanishme, nuk e kemi nisur siç duhet. Mirëpo, kudo që unë kam drejtuar, fillimi ka qenë thuajse i këtyre niveleve. Futbollistët janë të etur për të dhënë më të mirën dhe unë jam mjaft i kënaqur me ta.
Sigurisht që ky është një proces, e si pasojë, kërkon kohë. Megjithatë, jam i qetë dhe i përqendruar në punën time. Dua që futbollistët të kuptojnë sa më mirë filozofinë time të lojës. Sigurisht që edhe unë i dua rezultatet sa më shpejtë të jetë e mundur, por kjo kërkon kohë.
Për të triumfuar në Champions League, duhet të kesh një skuadër të madhe. Çdo lojtar duhet të jetë gati për të dhënë më të mirën në fushën e lojës.
Është gjithashtu e nevojshme që skuadra të jetë e bashkuar dhe e përulur dhe të ketë dëshirë të madhe për të fituar dhe lojtarët të jenë gjithmonë në ndihmë të njëri-tjetrit.
Megjithatë, të jesh i fiksuar për të triumfuar në Champions League, nuk është asnjëherë një shenjë e mirë. Kjo është një këshillë që nuk vlen vetëm për futbollin, por edhe për jetën. Duhet të kesh shpresë she ambicie, por fiksimi asnjëherë nuk është zgjidhje. Ne jemi një grup që kemi shpresë. Po shohim përpara dhe duam t’i bëjmë tifozët të lumtur.”
MARQUINHOS, MBROJTËSI I PSG:
“Trajneri ynë i ka idetë mjaft të qarta. Ai nuk ka ardhur këtu për të bërë diferencën e një kompeticioni, nga një tjetër. E dimë se sfida jonë më e madhe është në Champions League. Si pasojë, këtu skuadrat janë më të forta, e për këtë arsye, puna në stërvitje duhet të jetë më e madhe.
Trajneri është vazhdimisht shumë kërkues ndaj nesh, pavarësisht se ndaj kujt luajmë përballë. Ai u kushton tepër rëndësi pasimeve tona dhe apsketve të tjera të lojës. E admiron faktin që po punoj me një trajner si Luis Enrique, i cili ka mjaft dëshirë për sukses dhe ka gjithmonë shumë për të thënë në dhomat e zhveshjes.
Mendoj se jemi pjesë e një grupi të vështirë, aty ku bëjnë pjesë disa skuadra historike. Megjithëse Dortmundi nuk është në një moment të mirë, unë besoj se në futboll, situatë mund të ndryshojë shumë shpejt. Çdo gjë mund të ndodhë brenda një ndeshjeje dhe çdo lojë është një histori më vete. Detyra jonë është të përqendrohemi në lojën tonë dhe të mos mendojmë shumë për kundërshtarin.”
EDIN TERZIÇ, TRAJNERI I BORUSSIA DORTMUND:
“Një nga kundërshtarët më interesantë të UEFA Champions League, sonte do të jetë përballë nesh dhe respekti nga ana jonë duhet të jetë maksimal. PSG është një skuadër mjaft konkuruese dhe që çdo sezon është aty, favorite për të fituar këtë kompeticion. Megjithatë, e rëndësishme është të përqendrohemi në lojën tonë. Nuk duam thjesht të jemi pjesëmarrës sa për statistikë, por duam të konkurojmë me më të mirët. Në mbrëmje të tilla, është e rëndësishme të zhvillojmë një performancë pozitive dhe kjo është ajo që do përpiqemi të bëjmë sonte.
E kemi treguar edhe më parë se mund t’i hapim telashe çdo kundërshtari të mundshëm. Madje, edhe atyre që konsiderohen pretendentë për të fituar këtë kompeticion. Një prej tyre sigurisht që është edhe PSG. Francezët vijnë me plot ndryshime. Ata kanë qenë mjaft aktivë në merkaton e verës, ku përveç lojtarëve, emëruan edhe një trajner të ri, i cili dallohet për aftësitë e tij drejtuese. Kemi analizuar me përpikmëri çdo ndeshje të tyre që kanë luajtur këtë edicion dhe e kemi të qartë planin se si do të rreshtohemi në fushën e lojës. Duhet të harrojmë çdo gjë që ka ndodhur në të shkuarën. Sonte fillon një rrugëtim i ri, tërësisht ndryshe nga të mëparshmit. Duhet të jemi gati.”
GREGOR KOBEL, PORTIERI I BORUSSIA DORTMUND:
“PSG është një skuadër e kompletuar, me lojtarë dhe sulmues të jashtëzakonshëm. Më i dalluari ndër ta është Kylian Mbappe, i cili zotëron një aftësi të lartë shënimi. Jam i bindur se edhe sonte, ai do të jetë mjaft i rrezikshëm. Për ta ndalur, është e nevojshme të bëjmë diçka përpara se ai të krijojë hapësirë për të gjuajtur, sepse në të kundërt do të jetë e komplikuar. Megjithatë, për kundërshtarin duhet të tregojmë respekt, por nuk duhet të harrojmë gjithashtu edhe strategjinë tonë të lojës. Ashtu sikurse e përmendi edhe trajneri, ne i kemi marrë masat, duke analizuar filozofinë e tyre të lojës. Mbi këtë bazë, kemi hartuar një plan dhe jemi të bindur që nëse do e zbatojmë me përpikmëri, do të funksionojë. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se futbolli është një lojë kur një pjesë të mirë e luan edhe fakti. Thënë këtë, uroj që gjithçka sonte, të anojë në krahun tonë.”