Luis Enrique, trajner i PSG:
“Do të luajmë një ndeshje speciale jo vetëm për pozicionet e skuadrave në klasifikim. Por edhe sepse unë do të takoj një shok, do të jetë një gëzim i madh që të rigjej Guardiolën. Duhet të prisni një ndeshje të madhe pasi të dy, me lojtarët që kemi, kemi për të përgatitur ndeshjen njëlloj. Të jem i sinqertë si unë edhe Guardiola apo edhe Ksavi kemi përdorur skemën 4-3-3, por skuadra e Guardiolës i afrohej më shumë perfeksionit. Për mua është Guardiola, ai që e solli ekipin në modelin perfekt, Ai është numri një, ai është një trajner ndryshe. Një njeri, që ka inovuar në botën e futbollit. Ai është një referencë, sigurisht. Unë jam me fat që jam shoku i tij. Ai është dikush që krijoi një metalitet krejtësisht tjetër. Prandaj besoj se do të shohim një ndeshje të madhe futbolli; idetë e tij për futbollin janë të mrekullueshme… Unë i dua ato. Të dyve na bashkon ideja jonë për futbollin, mendoj se askush nuk mund ta vërë në dyshim: kemi të përbashkët, përpjekjen për të qenë më të mirë se kundërshtari me topin, përpjekjen për të ushtruar presionin në mënyrën më të mirë, edhe pse secili prej nesh e përsos modelin e tij. Mendoj se do të shpalosim në fushë futboll të bukur.
Ata kanë 8 pikë, ne kemi 7, dhe mendoj se kjo do të jetë një ndeshje ku çdo ekip do të përpiqet të vendosë në fushë armët e tij më të mira. Jemi një ekip shumë i ri, por kemi shumë cilësi. Duhet të jemi në gjendje ta vështirësojmë ndeshjen për një ekip si City, por është shumë emocionuese.
Kvara? Në parim, besoj se të gjithë e njohim atë si lojtar, pasi ka treguar nivelin e tij si te Napoli, ashtu edhe me Kombëtaren. Ai përshtatet në mënyrë të përkryer me idenë tonë të lojës. Mund të luajë në situata një kundër një, në qendër, madje edhe si numër 9. Përputhet me idenë tonë të shumëfunksionalitetit, ka aftësinë për të krijuar epërsi numerike. Me pak fjalë përshtatet me sistemin tonë të lojës”.
Ousmane Dembélé, sulmuesi i Parisit:
“Ne e dimë se ata janë një ekip i madh. Gjatë shtatë viteve të fundit, ata kanë fituar gjashtë tituj të Premierligës. Ne duhet të jemi të fokusuar sepse ata kanë lojtarë të mëdhenj, një golashënues dhe mbrojtës të shkëlqyeshëm. Me këtë në mendje, gjithçka është e mundur në një ndeshje, veçanërisht para tifozëve tanë. E njohim mirë këtë skuadër. Natyrisht është teknike dhe luan shumë mirë, duke ushtruar presion të fortë dhe të organizuar. Janë edjhe mjaft agresivë, kur humbasin topin, do të duhet të jemi të aftë në të dyja fazat e lojës. Duam të vazhdojmë rrugëtimin tonë në Champions. Prandaj do të sfidojmë një kundërshtar të jashtëzakonshëm, duhet të jemi gati në formën më të mirë të mundshme në mënyrë që t’ia dalim mbanë me sukses”.
Guardiola, trajner I Man City:
“Dy ekipet kanë ende dy ndeshje për të luajtur. Ne kemi një tjetër ndeshje pas kësaj. Do të shohim se çfarë ndodh. Nuk e prisnim të ishim në këtë situatë, por ky është sporti. Ndonjëherë të tjerët janë më të mirë se ti.”
Kur luan kundër Interit, Juventusit, PSG-së, janë ekipe të forta dhe kjo mund të ndodhë. Ka ekipe që i kanë fituar të gjitha ndeshjet. Ne bëjmë ç’të mundemi dhe do të shohim çfarë do të ndodhë. Mendoj se nuk kemi ndonjë zgjedhje tjetër. Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe ndoshta do të na duhen tri ose gjashtë pikë. Nuk e dimë.”
Më pëlqen gjithçka te Luis Enrique. Ai ka luajtur për klubin më të mirë në botë. Tani e dimë se duhet t’i pranojmë kritikat, kjo është pjesë e punës. Ajo që kam parë këtë sezon te PSG më mahnit, është një ekip dinamik, me ritëm të pabesueshëm: Barcola, Hakimi, Dembélé. Jemi miq dhe e duam njëri-tjetrin, kemi një lidhje të jashtëzakonshme. Kur sheh një mik, ndihesh shumë I lumtur. Do të dëshiroja që nesër të mos i shkonte mirë, por marrëdhënia jonë është përjetësore. Unë kam filluar pak më herët se ai. Për PSG e dimë presionin që kanë, njësoj si City. Puna që ka bërë është e tij dhe do të mbetet gjithmonë.”
Përmirësimet? “Kemi pasur rezultate më të mira, por është e rëndësishme të përparojmë. Tani kalendari është më intensive. Foden? Foden më parë nuk mund të luante dhe kur nuk ke më të mirin në Premier League, është e vështirë. Po rikuperojmë lojtarë dhe do të na ndihmojnë. Nuk mund të qëndrojmë në këtë pozicion. Në çdo ndeshje kishim dy ose tri ndryshime, me shumë dëmtime dhe nuk mund të bënim asgjë. “Stones është kthyer në ekip dhe ky është një lajm i jashtëzakonshëm për ne. Ruben është kthyer, John është kthyer dhe ata që ishin përpara po kthehen gjithashtu. Pra, lojë pas loje, le të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Erling Haaland, sulmuesi i Man City:
“Ndjej një energji vërtet pozitive në City. Ka qenë një periudhë e vështirë, të gjithë e dinë këtë. Por unë e ndjej energjinë, ne po stërvitemi shumë mirë dhe mendoj se e kemi mbaruar krizën tani. Mezi pres ndeshjen me Psg dhe më pas shumë ndeshje të tjera të rëndësishme që vijnë.
Mbulimi i mbrojtësve ndaj meje po ma bën gjithcka më të vështirë, por kjo është një gjë pozitive; kur njerëzit me të vërtetë kanë vëmendje për ty. Mendoj se kjo është gjëja më e mirë që mund të të ndodhë si futbollist sepse kjo do të thotë që ke bëra diçka të drejtë. Por duhet të gjesh një mënyrë për të fituar me ekipin, dhe për mua si sulmues i Man City, ka të bëjë me gjetjen e mënyrave për të krijuar rastet dhe për të bërë më të mirën”.