Paris SG – Arsenal, TS1 HD, 21:00

Sport

Mikel Arteta, trajner i Arsenalit:

“Jemi këtu për të bërë histori. Kemi mundësinë të bëhemi heronjtë e këtij klubi. Jemi vetëm një fitore larg finales së Champions League, prandaj do te japim gjithcka që kemi për ta bërë të mundur. Do të flasim më mirë në fushë. Kemi një tjetër shans për të treguar se e meritojmë të jemi në finalen e këtij kompeticioni prestigjoz. Duhet të tregojmë versionin tonë më të mirë, për të fituar ndeshjen. Nëse do ë bëjmë gjerat më mirë se një javë më parë në shtëpinë tonë, atëherë do të jemi më afër suksesit. Pres një Paris SG më ndryshe nga ai i ndeshjes së parë, përderisa do të luajë në shtëpinë e vet, përpara tifozerisë që do të ketë në mbështetje. Por e theksoj që ne kemi mundësinë e madhe për të bërë historinë tonë, në këtë kompeticion. Dhe nëse i bëjmë gjërat në mënyrën e duhur, atëherë kemi mundësi të mira për të shkuar në finale. Thjesht duhet të dimë të rrisim standartin tonë, duke e dërguar në një tjetër nivel.

Rezultati i takimit të parë na e bëri të qartë se çfarë duhet të bëjnë të dyja ekipet, dhe për ne është edhe më e qartë. Ne e dimë se çfarë mund të bëjmë. Të fitosh trofe do të thotë të jesh në kohën e duhur, në vendin e duhur. Shpresojmë që këtu në Paris, të jemi pikërisht në momentin e duhur, në vendin e duhur për të realizuar atë që na ka mbetur si objektiv parësor në këtë sezon. E ne do të përpiqemi, me aq sa kemi në dorë. E dimë se cfarë jemi në gjendje të bëjmë, e treguam edhe në takimin e parë, me përjashtim të 15 minutave të para ku patëm disa vështirësi. A mund ta mposhtë Arsenali një skuadër si PSG në shtëpinë e saj? Ne e dimë se çfarë mund të bëjmë… Deri tani kemi bërë gjëra vërtet madhështore me lojën dhe rezultatet tona/ Por natyrisht që do të na duhet edhe dicka speciale për të mbërritur në aktin final të Champions League.

Sa i takon lojtarëve të dëmtuar, mund të them se situata ka qenë pak më e ndërlikuar sesa pritej. Jorginho po përmirësohet dhe po rikuperon mirë. Do të rikthehet para përfundimit të sezonit? Mendoj se po, nëse gjithçka shkon siç duhet, mund të kthehet javën tjetër ose aty afër. Rikthehet Kalafiori, i cili është gati, në formë dhe mund të luajë, nëse do të jetë e nevojshme”

Declan Rice, lojtar I Arsenal:

“Jemi vërtet të bindur se mund të bëjmë diçka këtu. Mendoj se duhet të kesh besim të madh dhe ne si grup e kemi patjetër diçka të tillë. Nëse jemi versioni më i mirë i vetes, atëherë mund të bëjmë gjithcka. Në 15 minutat e para të ndeshjes së parë, goli i pësuar na befasoi disi. Kurse dhjetë minuta para fundit patëm një rrëmujë të vogël dhe ata goditën traversën. Por di të them se ne jemi në lartësinë e situatës dhe jemi gati, pasi ia dolëm të fitojmë edhe në Bermabeu! Madje, atëherë u fol shumë edhe për përmbysjen e Realit të Madridit. Shumë lojtarë të tyre thoshin direkt pas ndeshjes se po mendonin për ‘remuntada’-n. Duke e ditur se shumë prej nesh do të shkonim në Bernabeu për herë të parë, ishim të vetëdijshëm se do të ishte një natë e vështirë edhe me një epërsi 3-0, sepse gjëra të veçanta kishin ndodhur atje në Ligën e Kampionëve. Por, siç thashë, ne e përballuam presionin shumë, shumë mirë dhe bëmë një paraqitje vërtet mjaft të mirë. Dhe jam mjaft i sigurt se ndaj Paris SG do të shihni të njëjtin lloj performance nga kjo skuadër, sepse ne ia dalim mbanë në raste të mëdha dhe jemi gati ta bëjmë përsëri”.

 

 

Luis Enrique, trajneri i Paris SG:

“Mendoj se kemi bërë gjithçka si duhet deri tani. Është e rëndësishme të jemi të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin për të kuptuar se ku gabojmë. Sot për shembull kemi folur se çfarë mund të përmirësojmë në krahasim me ndeshjen e parë. Jemi këtu vetëm falë punës që kemi bërë dhe për të vazhduar më tej, duhet të vazhdojmë të punojmë po njësoj. E kemi merituar të jemi deri këtu. Fituam ndeshjen e parë dhe objektivi është të triumfojmë edhe në të dytën. Në nivele të tilla ka shumë gjëra që mund të të frymëzojnë, por mendoj se sot, mbështetja e tifozëve do të ketë një rol kyç për ne.

Kjo, është nga ato ndeshje që vendosen nga detajet. Duhet të jemi të kujdesshëm me të gjitha veprimet që bëjmë, sepse mjafton një gabim për ta parë veten të ndëshkuar. Njëkohësisht duhet të tregojmë karakter të fortë, që edhe nëse gjërat nuk shkojnë siç ne i kemi menduar, të gjejmë forcën për t’i përmbysur.

Mikel Arteta-n e kam njohur kur isha lojtar, tek Barcelona. Më kujtohet që ishte një lojtar me karakter të fortë. Ishte një lojtar i madh dhe tani është një trajner i madh. E kemi parë se çfarë pune ka bërë tek Arsenali dhe është e qartë se ata i kanë të gjitha kapacitetet për të na vënën në vështirësi.

Sa i përket pikëve të forta të skuadrës sime, unë nuk mendoj se kemi ndonjë pozicion apo fazë që është më e fortë se të tjerët. Pavarësisht cilësive të lojtarëve, mendoj se forca e grupit është pika jonë më e fortë. Për sa kohë skuadra qëndron e bashkuar dhe luan si një trup i vetëm, atëherë do të nxjerrim më të mirën tonë. Impakti im tek skuadra? Të gjithë trajnerët kanë ndikim tek lojtarët dhe skuadrat e tyre. Gjatë karrierës sime, kam patur shansin të punoj me lojtarë të shkëlqyer. Në çdo klub ku kam qenë, jam përpjekur të sjell individët e duhur dhe që nga sezoni i kaluar kemi marrë shumë lavdërime. Ky është një nga objektivat e mi: t’u jap tifozëve një lojë të bukur dhe argëtuese. Kështu, edhe rezultatet të shijojnë më shumë.”

Achraf Hakimi, mbrojtës i Paris SG:

“Vitin e kaluar luajtëm në gjysmëfinale dhe gjërat nuk shkuan mirë. Mendoj se kemi mësuar nga ajo eksperiencë dhe kjo do të na ndihmojë për ndeshjen e kësaj mbrëmjeje.

Jemi të vetdijshëm se do të jetë një mbrëmje e veçantë për të gjithë parizienët. Atmosfera në ‘Parc des Princes’ do të jetë e pabesueshme dhe e dimë se jashtë stadiumit, do të kemi një qytet të tërë me sytë nga ne, duke na mbështetur. Kjo është një nga gjërat që të jep më shumë forcë. Nuk ka gjë më të bukur se sa të shohësh tifozët e tu të lumtur dhe krenarë për atë se çfarë ti ke realizuar në fushën e lojës. Prandaj, nuk ka dyshim që mbështetja e tifozëve do të jetë një faktor që do të na ndihmojë vërtet shumë.

Unë përpiqem të ndihmoj sa më shumë skuadrën, në çdo mënyrë të mundshme. Kujdesem edhe për ata që janë lojtarë të rinj në moshë dhe ky është një rol i rëndësishëm. Unë dua të shihem si një shembull, jo vetëm për atë se çfarë bëj në fushë, por edhe jashtë saj.
Do të ketë presion sonte, por kjo do të jetë pozitive. Të gjithë lojtarët i ëndërrojnë t’i luajnë këto ndeshje, prandaj mezi presim të zbresim në fushë