Paqe në ‘El Classicon’ e parë të 2019-ës!

Sport

el clasico
Ka përfunduar në barazim 1-1 ‘El Classico’ e parë e këtij viti, në sfidën e parë gjysmë-finale të ‘Copa del Rey’. Në ‘Camp Nou’, atmosfera ishte e jashtëzakonshme për të pritur një nga ndeshjet më të bukura në Europë. Por festa e tifozëve do të ndalej shumë shpejt, pasi Real Madrid do të kalonte në avantazh në minutën e 6 falë Lucas Vazquez, që shfrytëzoi më së miri një pasim të Benzema. Pa Messin në fushë, Barcelona duket se po haste vështirësi të godiste portën e madrilenëve të mbrojtur nga Keylor Navas. Por në pjesën e dytë, gjithçka ndryshoi. Katalanasit rritën presionin e tyre dhe në minutën e 57, Malcom finalizoi në mënyrën e duhur një aksion mjaft të bukur të vendasve.

2019 02 06 FCBvsMADRID 41 Optimized 960x540

Messi do të merrte vendin e Coutinhos në minutën e 63, duke shtuar rrezikshmërinë e blaugranave në zonën e Real Madrid. Megjithatë, të besuarit e Solarit rezistuan mjaft mirë, për të dalë me një barazim të vyer nga ‘Camp Nou’. Vinicius Junior bëri një paraqitje mbresëlënse, duke dhuruar spektakël edhe me driblimet e tij, njëjtë si Malcom tek Barcelona. Zhgënjeu ndërkohë Gareth Bale, që i futur në fushë nga stoli, pati një shans të mirë në minutat e fundit, mundësi të cilën uellsiani nuk e shrytëzoi si duhet. Edhe trajnerët e të dyja skuadrave u shprehën se barazimi ishte rezultat i drejtë nga ajo çfarë skuadrat dhanë në fushë, ndonëse vendasit kishin kontrollin e topit në pjesën më të madhe të kohës. Në këtë mënyrë gjithçka mbetet për t’u diskutuar në sfidën e kthimit në Madrid, ku Messi me gjasa do ta nisë nga fillimi.