Paqe për të mirën e futbollit, ky ka qenë mesazhi i dy ikonave Maradona e Pele të cilët janë takuar së bashku në prag të Kampionatit Evropian Francë 2016-të, ku ishte parashikaur një mini-ndeshje miqësore në një aktivitet të zhvilluar në Paris. “Dua ta falenderoj Pele-në, të gjithë e dimë se kush është dhe se kush ka për të qenë ai gjithmonë. Na duhen ikona si ai” – tha Maradona i cili theksoi faktin se ishte i kënaqur që legjenda braziliane ishte mirë me shëndet dhe kishte mundur të ishte prezent në aktivitetin e zhvilluar. “Më e rëndësishmja është mesazhi i paqes. E falenderoj shumë mikun tim Maradona për këtë mundësi dhe një duartrokitje për të gjithë pjesëmarrësit, ky ishte një moment paqeje” – tha Pele tre herë kampion Bote dhe i vlerësuar si Lojtari i Shekullit të 20-të nga FIFA, e cila ndër të tjera e ka kurorëzuar edhe me një cmim nderi të Topit të Artë. Pikërisht këto vlerësime, ku sidomos ai i vitit 2000, pati acaruar gjendjen mes tyre, pasi FIFA kurorëzoi Pele-në packa se në votimet on-line Maradona ishte më i votuari. Diskutimet se kush ishte më vendimtar në fubtollin e shekullit të kaluar, vazhdojnë të mbeten të hapura, teksa në ndeshjen miqësore ku ishin prezent emra të njohur si Ferdinand, Dida, Crespo dhe Fernando Hierro rezultati përfundimtar ishte barazim 8-8.