Vetëm të enjten publikohet lista zyrtare me futbollistët që Kristian Panucci do të ketë në dispozicion për ndeshjet e marsit të Kombëtares shqiptare e që do të jenë të vlefshme për eliminatoret e Evropianit të ardhshëm. Në listë pritet të ketë risi, por gjithashtu do të ketë edhe mungesa të habitshme. Më e bujshmja është ajo e Ermir Lenjani, i cili po kalon një moment mjaft të mirë në kampionatin zviceran me Sionin, ku ka shënuar 7 gola e ka dhënë disa asiste. Por mesa duket Panuçit nuk i kanë bërë përshtypje paraqitjet e tij. Ka qenë vetë Lenjani, që përmes një postimi në ‘Instagram’, e ka bërë vetë të ditur mungesën në listën e kuqezinjve, duke u shprehur se ndihet jo pak i surprizuar. “Çuditërisht nuk jam ftuar për ndeshjet e muajit mars nga Kombëtarja”, ka shkruar Lenjani në storyn e profilit të tij në Instagram, duke e pasuar edhe me disa pikëpyetje. Në fakt, nuk është hera e parë që Panucci vepron në këtë mënyrë, duke kujtuar këtu se ka pasur shumë raste të tjera që trajneri i kombëtares kë lënë jashtë grumbullimit futbollistë cilësorë dhe sidomos që janë në formë.
Ndërkohë gjatë fundjavës në Zvicër ka pasur një “derbi” midis Luganos së Sadikut dhe Baselit të Xhakës. Si përfundim, gjithçka është mbyllyur në barazim 1-1, ndërsa 24 minuta lojë te Baseli pati edhe kosovari Edon Zhegrova. Por vlerësimet për dy lojtarët që pritet të takohen pas disa ditësh në grumbullimin e përfaqësueses, kanë qenë krejtësisht të ndryshme. Sadiku është aktivizuar vetëm në 20 minutat e fundit të ndeshjes, duke u shfaqur gjithsesi në nivelin e pritshëm prej tij, edhe pse nuk është në formën më të mirë. Kurse sa i takon Taulant Xhakës, mediat zvicerane kanë qenë të pamëshirshme, duke e shpallur si lojtarin më të keq në fushën e lojës për këtë ndeshje. Ndërkohë Benjamin Kololli u bë protagonist absolut me dy golat e tij, në barazim 2-2 që Zyrihu arriti në fushën e Thun. Një herë nga pika e bardhë e penalltisë dhe me një goditje të saktë nga brenda zone, anesori i Kosovës i dha një pikë me vlerë skuadrës ku luan.