Trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci ka bërë publike sot edhe listën e lojtarëve që ka grumbulluar për dy ndeshjet miqësore që do të luajë me Kosovën (29 maj) dhe Ukrainën (3 qershor). Janë plot 24 lojtarët e thirrur për këto dy takime, ku nën drejtimin e trajnerit dhe stafit do të nisin përgatitjet në datë 26 maj në Zyrih.
Spikasin në këtë listë hyrjet e reja në skuadrën përfaqësuese, sikundër është sulmuesi i kaluar tashmë tek Oostende, Sindrit Guri, apo edhe mbrojtësi Egzon Binaku, që luan me skuadrën suedeze të Malmos. Ndërsa rikthehen sërish në skuadrën kombëtare futbollistët Armando Vajushi, Rey Manaj dhe Emanuele Ndoji, që janë vlerësuar për t’u grumbulluar për këto dy ndeshje.
Ndeshja e parë miqësore e ekipit kombëtar do të luhet në Zyrih, në datë 29 maj, në orën 20.00 me Kosovën, ndërsa takimi i dytë me kombëtaren e Ukrainës do të luhet në Evian (Francë) në datë 3 qershor.