Panucci: Drejtimi i Shqipërisë, një gjysmë vetëvrasje!

Sport

Gati një vit pas largimit nga stoli kuqezi, Christian Panucci është kthyer të flasë për përvojën e kaluar në krye të Shqipërisë. Në një intervistë të dhënë për italianët, konkretisht pyetjes së drejtuar nëse e priste që aventura e tij me përfaqësuesen e “Shqiponjave” të përfundonte më mirë, ai i është përgjigjur:
“Kur mora unë drejtimin e Kombëtares Shqiptare, skuadra ishte e katërta në grupin e kualifikimit të Botërorit 2018. Si përfundim u renditëm të tretët. Shqipëria është një vend shumë i ndërlikuar. Nëse pas vitit 2016 kishte një pankinë të vështirë në Europë, ishte pikërisht ajo e Shqipërisë. Kishte mbërritur nga Europiani i luajtur për herë të parë. Prandaj të pranoja që t’a drejtoje ishte një gjysmë vetëvrasje, sepse do të duhej një mrekulli për ta kualifikuar sërish. Në kualifikimet europiane niseshim nga radha e katërt. Prandaj të renditeshim të tretët do të thoshte të kishim bërë një arritje të madhe. Kurse po te renditeshim të dytët do të ishte një mrekulli”, ka rrëfyer fillimisht Panucci.
Por kur ka prekur periudhën e kaluar në krye të kuqezinjve dhe marrëdhëniet që kishte me futbollistët, duket se ish-tekniku italian ka dashur të deformojë paksa realitetin. Kjo. duke ditur që ambienti në brendësi të Kombëtares në kohën e tij nuk ishte i qetë, edhe si pasojë e çështjeve të krijuara më kot nga vetë ai. “Megjithatë mund të them se kalova një periudhë të lumtur te Shqipëria. Ishte një përvojë fantastike, gjatë të cilës pata një raport të shkëlqyer me lojtarët. Presidenti i Federatës ka lëshuar së fundi deklarata të shëmtuara kundrejt meje. Por kur isha unë në drejtim të përfaqësueses, bëri plotësisht detyrën e presidentit dhe nuk ndërhyri për asgjë. Më la të punoja”, përfundoi Panucci.