Pandemia Coronavirus në futboll, të prekurit dhe vendimi i UEFA-s për finalen e Champions League dhe Europa League

Sport

Pandemia e Coronavirus, prej disa javësh ka pezulluar të gjitha aktivitetet sportive, por jo vetëm, thuajse në mbare botën, ndërsa fatkeqësisht është duke marrë edhe jetë njerëzish, përfshirë këtu edhe personazhe të njohur në botën e futbollit. Në moshën 76 vjeçare është ndarë nga jeta, ish-presidenti i Real Madrid, Lorenzo Sanz. Sanz prej disa ditësh ishte i shtruar në spital, por nuk ia arriti ta fitonte dot këtë betejë. Sanz, kishte një pasion tepër të madh për Realin e Madridit, ndërsa e ka shkruar emrin e tij në historinë e klubit madrilen. Ai bëri të mundur, që në vitin 1998-të, Reali të rikthehej të fitonte titullin e Champions League pas 32 vitesh mungesë, duke hapur një kapitull të ri në historinë moderne të klubit. Ndërkohë, të prekur nga Coronavirus janë edhe disa lojtarë. Në Spanjë, klubi i Valencias ka konfirmuar se 35 % e stafit ka rezultuar pozitiv. Më tej, edhe në Serie A. Tek Milani ka rezultuar pozitiv Drejtori Teknik Paolo Maldini, së bashku me djalin e tij Daniel Maldini. Përsa I përket Juventusit, janë Dybala, Matuidi, Rugani. Tek Verona është vetëm një futbollist Mattia Zaçagni. Po ashtu një futbollist edhe tek Sampdoria, Fabio Depaoli. Një tjetër klub i prekur është edhe Fiorentina me lojtarët German Pezzella, Patrick Cutrone,Dusan Vlahovic. Janë pikërisht këto klube që kanë deklaruar se në përbërje të tyre këta janë futbollistët, të cilët janë prekur nga Covid-19. Nga raportimet e mediave përtej Adriatikut, të gjithë këta protagonistë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu edhe në Premier League kanë dalë teste pozitive me këtë virus. Si fillim ishte trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ndërsa më pas lojtari i Chelsea, Hudson-Odoi. Në kampionëtin gjerman, deri në këto momente, rezultojnë të prekur me Coronavirus lojtarët Luca Kilian (Paderborn) dhe Timo Hubers së bashku me Jannes Horn, të dy pjesë e Hannover. Momentalisht, janë shtyrë të gjitha kompeticionet e luajtura, ndërsa së fundmi, Uefa ka spostuar në një datë të pacaktuar edhe finalen e Champions League dhe të Europa League.