Shaqja e Pep Guardiolës në konferencën për mediat, pas barazimit dramatik 3-3 me Feyenoordin në shtëtpi, është duke bërë xhiron e të gjithë botës. Ish-trajneri i Barcelonës, apo Bayernit, vendosi të jepte deklaratë me shenja në kokë dhe në hundë, duke krijuar përshtypjen, sikur kishte zbritur nga ringu dhe nuk është një trajner futbolli. Pavarësisht se pamja nuk ka qenë ndoshta normale për t’u shfaqur publikisht, tekniku spanjoll nuk është fshehur aspak. Ai madje ka dhënë edhe shpjegime për situatën që ndodhi.
“Fytyra ime është bërë kështu për shkak se u preva gjatë lojës me thoin e gishtit. Dua që ndëshkoj veten time”, ka thënë Pep, i cili nuk e ka fshehur dot nervozizmin e tij gjatë asaj që po ndodhte në fushën e lojës. Deri në minutën e 75, City po fitonte 3-0, ndërsa, atëherë kur askush nuk e priste, Feyenoord barazoi takimin, diçka që e ka bërë Pepin të humbasë kontrollin.
Më tej, 53 vjeçari, ka komentuar edhe situatën në të cilën skuadra e tij ka ngecur dhe nuk po del dot. Gjashtë ndeshje radhazi pa fitore, nga të cilat pesë janë humbje të njëpasnjëshme. “Nuk jemi më të aftë të fitojmë. Si skuadër, ne gjithmonë e gjejmë një mënyrë për t’u rikthyer dhe kjo ka ndodhur përgjatë sezoneve që kemi kaluar së bashku. Gjithësesi, gjendja është kjo që është. S’ka dyshim se do të jetë një sezon i gjatë për ne dhe këtë gjë duhet ta pranojmë. Duhet të reagojmë në Anfield ndaj Liverpool në ndeshjen e ardhshme. Duhet të motivoj lojtarët, sepse kjo është puna ime”, ka thënë ndër të tjera Pep Guardiola.