Pagat e shqiptarëve në Serinë A, ja kush merr më tepër

Sport

Përveç numrit të shtuar të lojtarëve me prejardhje shqiptare në këtë kampionatin italian, mjaft interes përbën edhe paga që do të përfitojnë ata për këtë sezon, sipas kontratave të firmosura. Në humultimin e përvitshëm që bën “Gazzetta Dello Sport” mbi shifrat e përfitimit të protagonistët e skuadrave të Serisë A mund të dallohet se ai që përfiton më tepër nga futbollistët shqiptarë mbetet Elseid Hysaj, i cili te Napoli merr 1.6 milionë euro në sezon. Anësori shkodran kishte shprehur dëshirën për t’u larguar këtë verë, mirëpo kërkesat e larta të klubit napoletan e detyruan që të mos arrinte të shkonte te ekipet e interesuara për të, si Atletico, Roma, apo në ditët e fundit edhe Valencia. Tashmë, drejtuesit e Napolit do të duhet të përballojnë edhe rrogën e shqiptarit, i cili për më tepër është një ndër 5 anësorët që ka në dispozicion Ancelotti.
I dyti përsa i takon renditjes së pagave të shqiptarëve është një lojtar i Kosovës, Valon Berisha. Megjithëse më shumë ka qenë i dëmtuar sesa ka zbritur në fushë, ish-lojtari i Salsburgut merr 1.3 milionë euro nga klubi bardhekaltër. 100 mijë euro më shumë sesa portieri kuqezi dhe shoku i tij i skuadrës, Thomas Strakosha, të cilit Lacio i garanton 1.2 milionë euro në vit. Portieri tjetër i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha merr vetëm 1 milionë te skuadra e tij e re, Spal-i. Aty ku në ndryshim nga kolegët e tij me të njëjtën prejardhje, bie në sy fakti se është nnjë nga 3 më të paguarit, pasi vetëm sulmuesi Petagna merr më tepër sesa ai.

Nën milionëshin zbresin lojtarët e tjerë shqiptarë të Serisë A. 400 mijë euro në sezon është paga e Berat Gjimshitit tek Atalanta, ku trajneri Gasperini e konsideron si një nga pikat më të rëndësishme të mbrojtjes. Ndërsa 300 mijë euro përfiton Amir Rrahmani, në përvojën e tij të parë në futbollin italian te Hellas Verona. Aty luan edhe Marash Kumbulla, por që duket se nuk është përfshirë ende në listën e pagave të skuadrës së parë, përderisa konsiderohet pjesë e të rinjve. Më tej, me një pagë prej 200 mijë eurosh figuron Emanuele Ndoji, i cili luan te Brescia, por ende nuk ka debutuar në këtë kampionat. Në fund, renditjen e pagave të shqiptarëve në Itali e mbyll Kastriot Dermaku, që lëvizi nga Cosenza te Parma, aty ku shuma që përfiton në një vit është vetëm 180 mijë euro.

RENDITJA
Hysaj 1.6 milionë euro
Strakosha 1.2 milionë
Alon Berisha 1.3 milionë
E.Berisha 1 milionë
Djimsiti 400 mijë
Rrahmani 300 mijë
Ndoji 200 mijë
Dermaku 180 mijë