Ozil mohon spekulimet për largim, do të respektojë kontratën me Arsenalin

Sport

Mesut Ozil ka qenë një nga temat kryesore tek Arsenal, pasi gjermani është shumë larg formës së tij më të mirë, e për më tepër nuk preferohet nga trajneri Unai Emery. Numri 1 i stolit të ‘topçinjve’ i ka dhënë vetëm 140 minuta në fushën e blertë në këtë fillim sezoni, shumë pak për një lojtar që mendohej të ishte një shtyllë e ekipit londinez. Marrëdhëniet jo shumë të mira me trajnerin dhe minutat e munguara kanë bërë që mediat të flasin për një largim të Ozil gjatë janarit, me skuadra si Milan, Inter apo Fenerbahçe që thuhet të kenë shfaqur interes konkret për mesfushorin.

Por fituesit të ‘Kupës së Botës’ me Gjermaninë duket se nuk i kanë pëlqyer këto spekulime dhe 31-vjeçari ka marrë situatën në dorë duke zbuluar edhe të ardhmen e tij. Ozil u shpreh se nuk ka ndërmend të largohet nga Arsenali dhe se objektivi i tij është të respektojë kontratën që ka aktualisht me klubin londinez.


“Jo, nuk do të largohem nga këtu. Kam një kontratë deri në verën e vitit 2021 dhe dua të qëndrojë në këtë skuadër deri atëherë. Ato çfarë shkruhen nuk janë të vërteta sepse nuk kam kontaktuar me klube të tjera.”
Ozil mbyll në këtë mënyrë çdo mundësi të largimit të tij, të paktën deri në fundin e këtij sezoni, teksa gjermani u ndal edhe tek problemet që ka hasur së fundmi tek Arsenali. Mesfushori u shpreh se ndodh që një futbollist të kalojë momente të vështira, si ky që po kalon aktualisht 31-vjeçari, por kjo nuk është një arsye për t’u larguar. Për më tepër, Ozil thotë se do vijojë të japë maksimumin për të qenë i vlefshëm për skuadrën e tij.