Ousmane Dembele pranë largimit nga Barcelona. Anësori i sulmit po bën gati valixhet për të fluturuar drejt Parisit, atje ku do të bëhet pjesë e klubit të PSG. Ndonëse ka ende edhe një vit të mbetur në kontratë me katalanasit, aventura e francezit me klubin spanjoll konsiderohet e përfunduar.
Sikurse raportojnë mediat e huaja, Dembele, ka refuzuar gjithashtu edhe ofertën e Barcelonës për të rinovuar kontratën, me lojtarin që ka të tjera pretendime.
Nga ana tjetër, 26 vjeçari ka arritur dakordësinë totale me PSG, atje ku do të nënshkruajë për 5 sezone. Në kushte si këto, tashmë mbetet vetëm që Parisi dhe Barcelona të gjejnë gjithashtu gjuhën e përbashkët në aspektin financiar, për të kompletuar këtë “operacion”.
Vlera e Dembele në merkato, aktualisht konsiderohet 50 milionë euro, ndërsa na kontratën me Barcelonën, klauzola e tij është 50 milionë euro. Mirëpo, Parisi nuk ka kohë për të humbur, sepse që nga fillimi Gushtit, klauzola dyfishohet automatikisht dhe shkon 100 milionë euro. Për këtë arsye, orët e kësaj çështjeje konsiderohen të numëruara dhe shumë shpejt mund të kemi edhe një trajtë zyrtare të temës në fjalë.
Pjesë e Barcelonës, Dembele u bë në vitin 2017-të, atëherë kur u transferua për 140 milionë euro nga Borussia Dortmund. Në 185 ndeshje të luajtura me klubin katalanas, francezi ka shënuar 40 gola, e ka dhënë 43 asiste për shokët e skuadrës.