Victor Osimhen bën “prapakthehu”. Sulmuesi është penduar për revoltën ndaj trajnerit Rudi Garcia në momentin e zëvendësimit në ndeshjen e javës së 6-të të Serie A, atë ndaj Bolognas, të barazuar 0-0.
Nigeriani nuk e priti aspak mirë uljen në stol nga tekniku i tij, ndërkohë që kishin mbetur edhe pak minuta nga fundi i kohës së rregullt, dhe në atë moment nuk u kursye ndaj francezit, duke i thënë atij se duhet të mbante ende edhe dy sulmues në lojë, në mënyrë që të kërkonte golin e fitores.
Megjtihatë, sikurse bëjnë me dije mediat italiane, Osimhen ka reflektuar për veprimin e tij dhe i ka kërkuar falje trajnerit Garcia, po gjithashtu edhe shokëve të skuadrës. Klubi e ka pranuar ndjesën e shtatlartit të ofensivës dhe këtë herë është falur, çka do të thotë se ndaj tij nuk do të ketë dënim me gjobë.
Nga ana tjetër, Napoli ka besim të plotë edhe tek trajneri Rudi Garcia. Ndonëse në 5 javë janë marrë vetëm 8 pikë nga 15 të mundshme, presidenti Aurelio De Laurentis nuk ka asnjë dyshim se Garcia është “komandanti” i duhur për anijen e kaltër, vetëm se tashmë kjo duhet të reflektohet me rezultate në fushën e lojës.
Ndeshja e ardhshme e Napolit në Serie A, do të jetë ndaj Udineses në shtëpi dhe fitorja është detyrim për kampionët në fuqi. Kjo është gjithashtu një sfidë, në të cilën, edhe Osimhen do të përpiqet të rikthehet tek goli, duke qenë se nuk ka shënuar në asnjë prej 3 sfidave të fundit.