Osimhen drejt largimit, Napoli bëhet gati për pasardhësin e sulmuesit

Sport

Largimi i Victor Osimhen nga Napoli, pak nga pak po merr formë të plotë. Klubi i tij i ardhshëm duket PSG. Pavarësisht dëshirës për të luajtur në Premier League, mesa duket, klubet e mëdha të ishullit, ndihen të kompletuara në repartin e përparuar, e për këtë arsye, transferimi i Osimhan në kryeqytetin francez, gati-gati, mund të cilësohet edhe si një zgjedhje e kushtëzuar, duke qenë se një kalim në Lindjen e Mesme nuk mund të merret në konsideratë, të paktën edhe për disa sezone të tjera.

Siç përcillet nëpërmjet mediave matanë detit, agjenti i lojtarit ka udhëtuar në Francë për të biseduar nga pranë me përfaqësues të PSG. Klauzola e largimit të afrikanit nga Napoli është 130 milionë euro, ndërsa bëhet me dije, se oferta e kampionëve të Ligue 1 do të jetë mbi 100 milionë euro, kështu që mes palëve pritet të gjendet një marrëveshje përfundimtare.

Në njëfarë pike, Napolit i intereson që shitja e lojtarit të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo konsiderohet edhe si vera ideale për të përfituar maksimumin nga kartoni i Osimhen, sepse çdo lëvizje tjetër mund të rezultonte e gabuar.

Një tjetër arsye që Napoli kërkon shitjen sa më parë të Osimhen, është fakti se nga ana tjetër, kërkon të mos humbasë kohë edhe për pasuesin e tij, që është Romelu Lukaku, kartoni përfundimtar i të cilit, mund të shkojë deri në 25, apo 30 milionë euro.