Organizatorët e “Topi i Artë” i përgjigjen kërkesës së Messit për t’ia dhënë Lewandowskit çmimin e vitit 2020!

Sport

Ditën e hënë, gjatë ceremonisë së çmimeve të “Topit të Artë”, Leo Messi i cili ka thyer rekord duke e fituar çmimin për të shtatën herë, dha një deklaratë për golshënuesin e Bayern Munich, polakun Robert Lewandowski.

Edicioni i ndarjes së çmimeve të vitit 2020 u anullua si pasojë e pandemisë, por Messi “i kërkoi” Francës ti jepte çmimin e merituar Lewandowskit.

“Robert, ti e meriton ‘Topin e Artë’” tha ai.

“Vitin e kaluar të gjithë ishim dakord që ti duhet të ishe fituesi i madh i këtij çmimi. Shpresoj që Franca të ta japë Topin e Artë të vitit 2020. Ne të gjithë mendojmë se ti e meritoje dhe shpresoj që së shpejti ta marrësh në shtëpi.”

Lewandowski shënoi 55 gola në 2020, më shumë se çdo lojtar tjetër, por nuk arriti ta merrte “Topin e Artë” si pasojë e Covid-19.

Tashmë organizatorët e eventit “Topi i Artë” shqyrtojnë kërkesën e Messit për dhënien e çmimit të vitit 2020!

“Ajo që ka thënë Messi është shumë e drejtë. Por mendoj se nuk duhet të marrim vendime të nxituara” ka thënë një nga përfaqësuesit e eventit për median. “Mund ta mendojmë, por njëkohësisht të respektojmë historinë e përzgjedhjes së fituesit, e cila bazohet në votim.”

“Nuk mund të jemi të sigurt nëse do e kishte fituar Lewandowski “Topin e Artë” vitin e kaluar. Nuk mund ta dimë deri në momentin që do të ketë votim. Por të jemi të sinqertë, Lewandowski ka pasur shumë mundësi për ta fituar çmimin vitin e kaluar.”

Nëse Lewandowskit do i jepet “Topi i Artë” i vitit të kaluar apo do e fitojë ndonjëherë, kjo mbetet për tu parë. Një gjë është e sigurt, ai është përpjekur shumë për ta fituar!