Orët e fundit të merkatos, Roma merr një mbrojtës në formën e huazimit

Sport

Në orët e fundit të merkatos së Janarit, Roma ka arritur të kompletojë transferimin e një lojtari. Fjala është për mbrojtësin Diego Llorente, i cili ka ardhur formën e huazimit deri në fund të sezonit nga skuadra e Leeds United. Në marrëveshje, është e përfshirë edhe mundësia e blerjes përfundimtare të kartonit të futbollistit.

Largimi i anësorit të prapavijës Matías Viña, në skuadrën e Bournemouth në formë huazimi, e ka detyruar klubin italian të ndërhyjë me çdo kusht në afatin kalimtar të dimrit.

Diego Llorente është një futbollist që mund të luajë në disa pozicione të ndryshme, jo vetëm në mbrojtje por edhe në mesfushë. Madje, kjo është një arsye mjaft e fortë që trajneri Jose Mourinho ka dhënë dritën jeshile për të siguruar shërbimet e spanjollit.

Llorente është një produkt i akademisë së Real Madrid dhe si për ironi të fatit, ai ka debutuar me skuadrën e parë madrilene, pikërisht në kohën kur trajner i Realit ishte Jose Mourinho, në vitin 2013-të.

Mirëpo që prej atëherë, karriera e tij ka qenë larg stadiumit “Santiago Bernabeu” dhe pas një dekade, Llorente do jetë sërish nën urdhërat e teknikut portugez, Mourinho.