“Humbja ndaj Bayern duhet lënë pas. Është një situatë krejt ndryshe. Luajmë ndaj një tjetër emri të madh të futbollit europian, por ne mezi e kemi pritur këtë përballje. Jemi të emocionuar pas do të shijojmë frytet e punës sonë gjatë sezoni të shkuar. Kemi mundësinë të luajmë për një tjetër trofe të rëndësishëm dhe djemtë janë gati të japin gjithçka për të arritur tek ky objektiv, edhe pse ndaj një kundërshtari të tillë mbetet një mision i vështirë. Është e vërtetë që kemi patur disa ndryshime të rëndësishme në skuadër. Detyra jonë është të gjejmë një zgjidhje për çdo situatë që do ndeshim në fushën e blertë. Kemi punuar shumë gjatë me skuadrën për të ndryshuar edhe sistemin e lojës nëse kjo do të jetë e nevojshme. Është e rëndësishme të përshtatemi me njëri-tjetrin dhe të dimë të shfrytëzojmë elementët më të fortë që kemi në ekip. Nuk mund të them me saktësi se me çfarë formacioni do të nisim minutën e parë, pasi do të duhet të bëjmë disa vlerësime fizike deri pak përpara ndeshjes, por mund të them se i kemi idetë e qarta. Mendoj se të gjithë janë të entuziasmuar për këtë përballje. Është një eksperiencë krejt ndryshe, nga ku do të përpiqemi të mësojmë sa më shumë. Por në fushën e lojës do të zbresim si të barabartë. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për të bërë një ndeshje të madhe dhe kam besim te paraqitja e lojtarëve të mi.”