Olivier Giroud ka treguar objektivin kryesor të Milanit në sezonin e ri futbollistik. “Objektivi ynë parësor, është ylli i dytë në fanellë. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme në kampionat, por gjithashtu edhe në Champions League. Duam të bëhemi më të mirët në Itali, e të ngjitemi sa më lart në Europë”, ka thënë sulmuesi i 19 herë kampionëve të Italisë, duke paralajmëruar kësisoj edhe rivalët e tjerë.
Më tej, Giroud, ka folur me superlative për shokun e tij të skuadrës, Rafael Leao, për të cilin ka thënë se portugezi zotëron aftësi të jashtëzaknshme, por që mund ta zgjerojë akoma edhe më tepër potencialin e tij.
“Leao është një futbollist i një tjetër niveli. Aftësitë e tij janë të mahnitshme. Por, ai nuk duhet të mjaftohet me kaq, sepse unë besoj se ai mund të arrijë nivelin e Kylian Mbappe”, ka deklaruar ndër të tjera sulmuesi i qendrës.
Në fakt, në sezonet e fundit, Giroud dhe Leao janë kthyer në dy nga elementët kryesorë të Milanit në fushën e lojës. Në veçanti, francezi, ndonëse 36 vjeç, ia ka dalë me sukses të udhëheqë i vetëm sulmin e ekipit kuqezi, të drejtuar nga Stefano Pioli.
Mbetet për t’u parë në sezonin e ri, nëse Giroud do të vijojë të jetë zgjedhja e parë ose jo e teknikut italian, duke marrë parasysh përforcimin me sulmuesin tjetër, Noah Okafor.