Olivier Giroud konfirmon zyrtarisht largimin nga Milani në fund të sezonit

Sport

Olivier Giroud konfirmon zyrtarisht largimin nga Milani në fund të sezonit. Nëpërmjet kanalit zyrtar të klubit, sulmuesi ka bërë të ditur vendimin e tij dhe ka deklaruar gjithashtu të ardhmen. “Dy ndeshjet e radhës do të jenë të fundit me fanellën e Milanit. Jam krenar për gjithçka që kam bërë me këto ngjyra përgjatë këtyre 3 viteve. Mendoj se ky është momenti duhur për të bërë të ditur vendimin që kam marrë. Historia ime me Milanin përfundon këtë sezon, por ajo do të mbetet përgjithmonë në zemrën time. Sa i përket të ardhmes, do të shkoj në Amerikë”, ka thënë ndër të tjera Giroud.

Francezi u bë pjesë e Milanit në verën e 2021-shit, atëherë kur erdhi për vetëm 4.8 milionë euro nga klubi i Chelsea. Pavarësisht dyshimeve që u ngritën rreth një transferimi të tillë, shumë shpejt, Giroud arriti të heshtte të gjithë kritikët, duke u kthyer në një titullar të padiskutueshëm në formacionin e Milanit, e duke fituar gjithashtu edhe zemrat e tifozërisë kuqezi.

Pas Arsenalit me 253, Milani është klubi i dytë që Giroud ka luajtur më shumë ndeshje në karrierë, plot 130 ndeshje. Në total, shtatlarti i ofensivës regjistroi 48 gola dhe 20 asiste në të gjitha kompeticionet, ndërsa arriti të fitonte titullin kampion që në sezonin e tij të parë në “San Siro”.