Gjermania u eleminua për herë të parë që në fazën e grupeve të një Botërori. Faji iu atribua disa problemeve të krijuara në brendësi të ambientit të përfaqësueses gjermane. Kampionët e botës në fuqi nuk u shfaqën si skuadër, por u treguan mjaft individualë. Aq sa ishte e pashmangshme dalja e parakohshme nga skena botërore.
Shkaqet dhe rruga që duhet ndjekur për t’i përmirësuar kanë qenë objekt edhe një debati në studion e ZDF, midis drejtorit sportiv të Kombëtares, Oliver Bierhoff dhe ish-portierit Oliver Kahn, i cili ka kritikuar lojtarët: “U vu re qartë mungesa e lojës, por mbi të gjitha impotenca dhe apatia e skuadrës. Dukej sikur futbollistët kishin ide të ndryshme. Si rrjedhojë mund të them se pati krijime grupimesh, duke dëmtuar Kombëtaren në tërësi”.
Mbi të gjitha, Kahn tashmë në rolin e analistit sportiv, nuk ka kuptuar grumbullimin e Manuel Neuer pas dëmtimit që e la jashtë fushave për 9 muaj. “Për mua është ende portieri më i mirë në botë. Por nëse vjen pas një periudhe të gjatë pushimi, stërvitet disa javë dhe pastaj aktivizohet, atëherë di të them nga përvoja se lojtarët e tjerë nuk e marrin mirë. Do doja të dija se cilët janë kriteret. Zgjedhjet bëhen vërtet vetëm në bazë të paraqitjeve, apo kampionët e botës kanë ndonjë bonus?”, ka ngritur pyetjen ish-portieri, sipas të cilit seleksionimi i elementëve të skuadrës linte dyshime.
Përballë kësaj ka reaguar Bierhoff, i cili i është drejtuar ish-shokut të skuadrës, duke dashur të dijë se cilët ishin lojtarët e tjerë që mund të kishin qenë në listën e Kombëtares, sipas mendimit të tij prej eksperti. E menjëherë Kahn nuk ka lënë pa përmendur emra: “Mbi të gjithë, Leroy Sane, që u shpall lojtari i ri më i mirë i Premier League, përkrah Harry Kane. Gjithashtu edhe Filip Max i Ausburgut mund të ishte një alternativë më e mirë për pozicionin e anësorit të majtë, kundrejt Jonas Hector të Këlnit”, shpjegoi Kahn. Ndër të tjera, ish-portierit nuk i ka pëlqyer as vendimi aq i shpejtë për të vazhduar me Joachim Low si trajner pas dështimit në Botëror. E sipas tij, kjo ngre pikëpytje të tjera të mëdha rreth Gjermanisë.