Nicolo Zaniolo është futbollisti i radhës që po vëzhgohet nga prozhektorët e Arabisë Saudite. Madje, për italianin, në horizont ka nisur të duket një ofertë mjaft tunduese, me të vërtetën që pritet të mësohet së shpejti.
Sikurse raportojnë mediat përtej detit, klubi i Al Hilal, ka ofruar një kontratë 4 vjeçare në drejtim të Zaniolos, me një pagë totale prej 120 milionë eurosh, ose 30 milionë euro në sezon. Në Janarin e këtij viti, mesfushori me tipare sulmuese, u bë pjesë e Galaasarayt, për shifrën e 15 milionë eurove. Me kampionët e turqisë, fantazisti ka një kontratë deri në vitin 2027-të.
Megjithatë, arabët i kanë marrë masat edhe në këtë drejtim. Për të kompletuar transferimin e lojtarit në ligën saudite të futbollit, Al Hilal ka gati në drejtim të Galatasarayt, një ofertë që prek shifrën e 40 milionë eurove. Shifër që padyshim që mund ta tundojë klubin turk, që të tregohet i gatshëm për të nisur “operacionin” e shitjes.
Megjithatë, një rëndësi tepër të madhe në këtë mes do të ketë edhe dëshira e vetë Zaniolos. Al Hilal, i ka dhënë kohë futbollistit që të reflektojë, por ta analizojë situatën me kujdes dhe në fund të vendosë. Për këtë, Zaniolos i është dhënë një afat prej 15 ditësh për të vendosur në mënyrë përfundimtare se ç’do të bëjë me të ardhmen e tij.
Këtë panoramë ngjarjesh, është duke e ndjekur me vëmendje edhe Roma. Nëse Zaniolo do të transferohet në Arabi, pikërisht me shifrat e sipërpërmendura, atëherë klubi italian, do të përfitojë 4 milionë euro, për shkak se zotëron një përqindje të caktuar të shitjes së kartonit të futbollistit.