“Dua të vazhdoj të luaj për klubin më të mirë në botë”. Këto janë fjalët e Vinicius Junior, kur është pyetur mbi të ardhmen e tij. Ndonëse ka një kontratë deri në vitin 2024 me Real Madrid, nuk pritet të jetë e largët dita kur braziliani të rinovojë marrëveshjen, deri në vitin 2026, ose 2027-të. Klauzola aktuale e brazilianit është 350 mln euro, ndërsa në marrëveshjen e radhës, klauzolë do jetë 1 miliard euro.
22 golat dhe 20 asistet në sezonin 2021/22, e ngjitën Viniciusin në një tjetër nivel. Madje, interes për të, filloi të shfaqte edhe PSG. Në raportimet e mediave ndërkombëtare, kampionët e Francës ishin gati t’I ofronin një kontratë faraonike brazilianit, me një pagë prej 40 mln eurosh në sezon.
Megjithatë, Vinicius Junior është I vendosur për të luajtur me 14 herë kampionët e Europës dhe nuk është I interesuar aspak për vëmendjen e klubeve të tjera të kontinentit. Mediat pranë klubit spanjoll bëjnë me dije, se rinovimi me sulmuesin, do ketë përmirësim edhe të termave financiarë. Me firmën e re, Vinicius do përfitojë thuajse dyfishin e pagës aktuale. Në total, përfshirë edhe bonuset e ndryshme, 21 vjeçari pritet të arkëtojë deri në 10 mln euro në sezon. Kjo do të thotë se djaloshi I talentuar do bëhet pjesë e bashkësisë së futbollistëve më të paguar të Real Madrid.