Tifozët e Liverpool mund të rrinë të qetë. Mohamed Salah nuk do të largohet drejt Arabisë Saudite. Lindja e Mesme është kthyer në tokën e premtuar për shumë futbollistë këtë verë, e pjesë e ofertave është bërë edhe mëngjarashi i The Reds.
Ishte pikërisht Al Ittihad që i ka ofruar sulmuesit një paketë tunduese dy vjeçare, me rreth 90 milionë euro në sezon. Për të siguruar shërbimet e egjiptianit, klubi saudit po përgatitej gjithashtu që në drejtim të Liverpool të bënte një ofertë 80 milionëshe.
Megjithatë, këtij lajmi i ka bërë menjëherë bllokadë agjenti i vetë lojtarit, Ramy Abbas, i cili është shprehur se Salah nuk ka interes për t’u bërë pjesë e ligës saudite të futbollit dhe se dëshira e tij është të luajë në “Anfield”, duke konfirmuar kësisoj edhe të ardhmen e klientit të tij.
“Nëse do e merrnim në konsideratë largimin e Salah këtë verë nga Liverpool, atëherë nuk do ta kishim rinovuar kontratën një vit më parë. Synimi i vetëm i Salah është të vazhdojë me Liverpool”, ka theksuar ndër të tjera agjenti i 31 vjeçarit.
Në fakt, këtë verë, nga Liverpool janë larguar pikërisht dy lojtarë në drejtim të Arabisë Saudite. Si fillim ishte Jordan Henderson, e më pas, rrugën e tij e ndoqi edhe Fabinho, nga largimi it ë cilëve, gjigantëi i Merseyside ka arkëtuar rreth 60 milionë euro.
Sa i përket situatë së Salah, kontrata e tij me Liverpool përfundon në verën e 2025-tës. Ai është pjesë e klubit të kuq që prej 2017-tës, e prej atëherë ka luajtur 305 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Ka shënuar 186 gola, e ka kontribuar me 79 asiste. Sa i përket trofeve, Salah i ka fituar të gjithë, por ka ende dëshirë që të vazhdojë të jetë i suksesshëm në “Anfield”.