Ofendoi gjyqtarin, Buffon dënohet 3 ndeshje nga UEFA

Sport

buffon
Tri ndeshje skualifikim për Gianlugi Buffon. Ky ka qenë vendimi Disiplinor i UEFA-s, që pas hapjes së një hetimi vetëm disa ditë më parë, tashmë e ka ndëshkuar ish-portierin e Juventusit për atë që ndodhi më 11 prill, me rastin e cerekfinales së kthimit të Champions League, Real Madrid-Juventus. Në atë rast, Buffon u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari francez Oliver, për shkak të protestave që pasuan penalltinë e akorduar në favor të Realit në minutën e 93-të. Penallti që u dërgua në rrjetë nga Cristiano Ronaldo, duke i dhuruar Realit golin që i vlejti kalimin në gjysmëfinale. Buffon ka paguar me një ndeshje kartonin e kuq të marrë në fund të atij takimi në “Bernabeu”, kurse me dy ndeshje të tjera është ndëshkuar për deklaratat e lëshuara në drejtim të gjyqtarit, kur u shpreh se “Një qenie njerëzore nuk mund të vërshëllejë eleminimin e një skuadre, pas një episodi tepër të dyshimtë. Oliver, në vend të zemrës, ka një kazan mbeturinash!”.

buffn

Ndërkohë pas këtij dënimi pritet që shpejt të vijë edhe zyrtarizimi për transferimin e portierit 40-vjeçar në Francë tek Paris SG. Aty ku do të vuajë edhe pezullimin, me nisjen e edicionit të ardhshëm të Champions League.Gjithashtu, edhe trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola është skualifikuar nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s me dy ndeshje, një prej të cilave e ka kryer gjatë edicionit të kaluar. Arsyetimi për këtë ndëshkim të spanjollit është sjellja e pahijshme pas ndeshjes së dytë çerekfinale të Champions Leagues kundër Liverpoolit. Ndër të tjera, UEFA ka gjobitur edhe Liverpoolin me 20.000 euro pas incidenteve në sfidën e parë të çerekfinales së Championsit në prill, duke përfshirë një sulm në autobusin e skuadrës së Manchester City, pas mbërritjes në stadiumin “Anfield”.