22 gola në 31 ndeshje nuk i mjaftojnë Mario Balotellit as për t’u grumbulluar në një ndeshje miqësore me Italinë. Luigi Di Biagio nuk e ka përfshirë në listën e skuadrës që do të përballet me Argjentinën dhe Anglinë dhe fillë pas këtij vendimi ai që është shfryrë hapur me fjalë edhe të rënda ka qenë Mino Raiola. Agjenti i njohur për deklaratat e pakufijshme është shprehur se kombëtarja e Italisë ta shpif dhe se është plot me lojtarë të mbaruar.Vreri i furishëm që ai ka hedhur kësaj radhe ka qenë dukshëm i nxitur nga mosgrumbullimi i Balotellit. Për vetë trajnerin aktual të Italisë, Di Biagion, Raiola është shprehur se është një njeri pa karakter dhe i ngjashëm me Venturën.
“Kombëtarja duhet të ketë më të mirët, por ja që më të mirët s’po i marrin as në konsideratë” – ka thënë Raiola i cili ka lëshuar nga një deklaratë për të gjithë. Me Balotellin në pikëpyetje nëse do të qëndrojë apo do të rrijë te skuadra e Nice-së, edhe Donnarumma mbetet po aq i lëkundur. Për këtë të fundit Raiola lëshoi një tjetër batutë “Shpresoj që te Milani sezonin e ardhshëm portën ta mbrojë Reina”. Të gjitha deklaratat Raiola i kreu në emisionin radiofonik “Tutti Convocati” dhe kjo nuk është hera e parë që ai e lëshon gojën pa u menduar dy herë.