Nuk kishte asnjë dyshim, Karim Benzema fiton “Topin e Artë”

Sport

Karim Benzema fiton “Topin e Artë” për vitin 2022, duke u bashkuar tashmë në listën e lojtarëve më të mëdhenj të historisë së futbollit. Sulmuesi francez ishte protagonisti absolut i mbrëmjes së Parisit. Trofeu më prestigjoz që një lojtar mund të fitojë në aspektin personal, iu dorëzua 34 vjeçarit nga Zinedine Zidane, i pranishëm në këtë ceremoni.

Në fjalët e tij, Benzema, nuk i fshehu emocionet e kurorëzimit. “Asgjë nuk është e pamundur. Ky është Topi i Artë i njerëzve të thjeshtë. Në jetën time kam ndjekur dy shembuj, Zidane dhe Ronaldo Fenomenin. Kam kaluar edhe momente të vështirë, por nuk jam dorëzuar dhe për këtë jam krenar. Falenderoj të gjithë shokët e skuadrës tek Real Madrid dhe tek Franca. Mirënjohje për trajnerët, për presidentin Perez, i cili ka besuar ggjithmonë tek unë dhe më dha mundësinë për të luajtur për Realin”, është shprehur Benzema.

Kapiteni i Real Madrid u kthye në një prej lojtarëve më të rëndësishëm për Merenguez për sezonin që lamë pas. Francezi realizoi 44 gola në 46 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet. Me kontributin e tij, Reali ia doli të shpallej kampion i Superkupës së Spanjës, La Ligas, Champions League dhe Superkupës së Europës.

Në moshën 34 vjeç e 10 muaj, Benzema u bë lojtari dytë më i vjetër në moshë që fiton Topin e Artë. Përpara tij qëndron vetëm Stanley Mattheës, me britanikun që mban rekordin, 41 vjeç e 10 muaj.

Ndërkohë, në ceremoninë e Parisit, u dekorua një tjetër lojtar i Real Madrid. Thibaut Courtois fitoi çmimin si portieri më i mirë për vitin 2022. Sa i përket listës me 10 lojtarët më të mirë në botë, ajo përbëhet nga Benzema, Courtois, De Bruyne, Haaland, Leëandoëski, Mane, Mbappe, Modriç, Salah dhe Vinicius.