Manchester City dhe Liverpool ndahen në barazim 2-2, ndeshje e vlefshme për javën e 31 të Premier League. Në Etihad, vendasit kaluan të parët në avantazh që në minutën e 5-të me anë të Kevin De Bruyne. Belgu po kalon një formë mjaft të mirë në takimet e fundit, teksa për herë të parë ka realizuar 4 gola radhazi në të gjitha kompeticionet.
Mirëpo, Thye Reds u përgjigjën shumë shpejt. Në të 13-tën, Diogo Jota barazoi sfidën. Që prej këtij momenti, të besuarit e Pep Guardiolës provuan të merrnin sërish në dorë frenat e lojës dhe kështu ndodhi. Në të 36-tën, Gabriel Jesus kaloi Cityzens sërish në avantazh.
Kjo ishte hera e parë për këtë sezon që Liverpool e mbyllte pjesën e parë në disavantazh. Për herë të fundit kishte ndodhur në 10 prill të vitit të shkuar, atëherë kur në fund fituan 2-1 ndaj Aston Villa.
Pas pushimit, të besuarit e Jurgen Klopp u rikthyen me të tjera ide në fushën e lojës. Në të 46-tën, Sadio Mane barazoi shifrat në 2-2, duke shfrytëzuar në maksimum pasimin e mrekullueshëm të marrë nga Mohamed Salah.
Pas këtij momenti, rezultati mbeti I pandryshuar deri në fërshëllimën e fundit, me të dyja skuadrat që u ndanë të dyja me vetëm nga një pikë. Pas kësaj jave, klasifikimi nuk ndryshon. Manchester City mbetet kryesues i kampionatit me 74 pikë, një më shumë sesa Liverpool. 7 ndeshjet e mbetura të Premier League, do të jenë si finale për të dyja skuadrat.